Ndërlidhjet

Maqedonia e V. raporton për 101 të infektuar dhe 4 të vdekur nga COVID-19


Shkupi gjatë pandemisë.

Maqedonia e Veriut të mërkurën ka regjistruar 101 të infektuar me koronavirus, që paraqet shifrën më të lartë të të infektuarve që nga fillimi i muajit prill.

Autoritetet thanë se janë regjistruar edhe katër viktima nga COVID-19.

Viktimat janë nga Shkupi, Kumanova, Prilepi dhe Tetova.

"Janë persona kryesisht të moshuar, të diagnostikuar edhe më sëmundje tjera kronike si; diabet, sëmundje të zemrës, tension të lartë e diagnoza tjera", thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik.

Shkupi vazhdon të mbetet vatra e rasteve të reja dhe sipas raportit, në kryeqytet janë shënuar 59 raste.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut tani ka arritur në 2,492 prej të cilëve 1,605 janë shëruar, ndërsa 742 raste janë ende aktiv.

Komisioni i Sëmundjeve Infektive të enjten do të diskutoj gjendjen pas rritjes së rasteve me Covid-19 dhe nuk e përjashton mundësinë e paraqitjes së propozimit në qeveri për aplikimin e masave kufizuese, në veçanti gjatë fundjavës kur besimtarët ortodoks shënojnë një festë fetare.

Megjithatë, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka thënë se virusi për momentin nuk e ka fuqinë e njejtë, si në fillim të pandemisë, dhe se të gjithë të infektuarit janë në gjendje stabile.

Ai gjithashtu ka theksuar se numri i lartë i rasteve është edhe si rezultat i numrit të lartë të testeve që po kryhen në Maqedoninë e Veriut.

Deri më tani janë testuar rreth 32 mijë mostra.

XS
SM
MD
LG