Ndërlidhjet

Mustafa, deputetëve: Vota juaj do ta shpëtojë Kosovën


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka konsideruar të mërkurën, si ditë të madhe për Kosovën, pas zgjedhjes së Avdullah Hotit si kryeministër i Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka uruar të gjitha partitë e koalicionit dhe partitë tjera që kanë votuar përbërjen e re qeveritare.

“Urime deputetë që votuat pa hezituar dhe pa u frikësuar! Vota juaj do ta shpëtojë Kosovën. Sot përcollëm një ekspoze të qartë, konkrete me orientime vizionare të Kryeministrit tonë. Të njeriut me tipare humane, me dije të thella shkencore; i thjeshtë dhe i afërt me njerëz. Nuk e ofendoi askënd; apeloi për ura bashkëpunimi; reflektoi vullnet të paskajshëm për familjen evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë Mustafa.

Megjithatë gjatë ditës së mërkurë, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku është votuar për qeverinë e re, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala ka deklaruar se ai ka ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi një natë më parë ka takuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë Hoti me 61 vota për derisa vota e deputetit Shala po konsiderohet vendimtare për formimin e ekzekutivit të ri.

Qeveria e re e Kosovës është votuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilit, i ka dhënë të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në mandatimin e Hotit për formim të qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.

Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

XS
SM
MD
LG