Ndërlidhjet

Veseli: Qeveria bëri mirë që hoqi reciprocitetin


Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha se qeveria ka bërë mirë që ka shfuqizuar masat e reciprocitetit.

Por, Veseli ka thënë se reciprociteti, taksa, demarkacioni dhe dialogu, janë keqpërdorur në vazhdimësi, siç u shpreh ai, “për interesa të politikës ditore”.

“Sot, qeveria e status quos dhe vazhdimit të mashtrimit, largoi vendimin mashtrues për reciprocitetin, dhe mirë ka bërë. Por, është vijim i një kurthe të ngritur nga Albin Kurti para ikjes nga pushteti, si shantazh politik dhe hakmarrje për t’i vendosur një tjetër pengesë Kosovës.

Ai tha se “lufta për pushtet” e ka verbuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, të cilat sipas tij, keqpërdorën kauzat qytetare dhe dëmtuan interesat afatgjate nacionale të Kosovës.

Pas votimit në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës për shfuqizimin e reciprocitetit, kryeministri Avdullah Hoti argumentoi se Kosova ka hequr pengesat për rifillimin e dialogut, duke theksuar se tani Serbia duhet të ndalë fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe t’i rikthehet bisedimeve.

Vendosja e reciprocitetit ishte kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që kërkonin të hiqej kjo masë që të riniste dialogu.

Fillimisht taksa 100 për qind e vendosur në fund të vitit 2018 dhe më pas reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë në prill të këtij viti, u panë si pengesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind. Beogradi ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave, në këmbim të kthimit në tavolinën e bisedimeve.

XS
SM
MD
LG