Ndërlidhjet

Hoti: Angazhohemi për marrëveshje që do të rezultonte me njohje të ndërsjellë


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka takuar të martën ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, të cilit i ka treguar se qeveria e tij është e përkushtuar që të punojë për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Në një komunikatë për media, të lëshuar nga Zyra e Kryeministrisë, është thënë se të dy zyrtarët kanë theksuar se integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm.

Sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë, kryeministri Hoti ka thënë se dialogu do të zhvillohet duke u bazuar në principe të qarta që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e angazhuar për një marrëveshje që do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura me Serbinë dhe që do të rezultonte me njohjen e ndërsjellë.

Abbott në anën tjetër është cituar të ketë thënë se Britania e Madhe do të vazhdojë të përkrahë institucionet e Kosovës, si vende partnere në projekte të përbashkëta, të cilat synojnë zhvillimin e Kosovës, forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, ekonominë dhe meritokracinë në rekrutime.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

XS
SM
MD
LG