Ndërlidhjet

Hoti prezanton kornizën e dialogut Kosovë – Serbi


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka prezantuar të mërkurën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kornizën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë. Ai ka thënë se dialogu me Serbinë do të zhvillohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

Dialogu me Serbinë, ka shtuar Hoti, do të udhëheqet nga kryeministri i vendit.

“Dialogun e udhëheq kryeministri i Kosovës. Ka pasur diskutime nga më të ndryshmet, javët dhe muajt e fundit, unë nuk do të bëj kurrfarë gare me bartësit tjerë institucionalë, pasi që kompetencat e mia kushtetuese janë të qarta, përfshirë edhe kompetencat për dialog”, ka deklaruar Hoti.

Sa u përket parimeve të dialogut, Hoti tha se integriteti territorial i Kosovës është i panegociushëm.

“Nuk ka kuptim asnjë marrëveshje pa njohje reciproke, dhe jo njohje reciproke të përkohshme, por njohje reciproke që na siguron ulëse në OKB dhe na siguron njohjen nga pesë vendet e BE-së që ende nuk na kanë njohur”, ka shtuar mes tjerash ai.

Objektivi i Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë, ka njoftuar Hoti është që në këtë marrëveshje të adresohen të gjitha çështjet e hapura me Serbinë, siç është fati i të pagjeturve dhe një listë e gjatë e çështjeve që janë në pritje.

Në anën tjetër, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka thënë se Kosova duhet t’i qaset seriozisht procesit të dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë.

Kjo Akademi ka kërkuar që të ruhet integriteti territorial i Kosovës, në bazë të kufijve të njohur ndërkombëtarisht, sipas Deklaratës së Pavarësisë 2008.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

XS
SM
MD
LG