Ndërlidhjet

Austria rihap kufirin me Italinë pa kufizime


Ilustrim

Austria njoftoi të mërkurën se do të rihapë kufirin me Italinë nga data 16 qershor dhe se do të lejojë udhëtimin e lirë nga shumica e vendeve evropiane, po nga kjo datë.

Javën e kaluar, ajo i ka hequr kufizimet në udhëtim për disa shtete fqinje, por e ka përjashtuar Italinë - njërin nga vendet e goditura më së keqi nga pandemia e koronavirusit në Evropë.

“Po, po e hapim kufirin. Për shembull, udhëtimi në Itali, Greqi, Kroaci do të jetë i mundur”, tha ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, në një konferencë për media në Vjenë.

Nga 16 qershori, Austria do të mirëpresë udhëtarë nga 31 vende pa kufizime.

Përjashtime janë Suedia, Spanja, Portugalia dhe Mbretëria e Bashkuar, tha Schallenberg.

Udhëtarët nga këto vende do të duhet të kenë test negativ për koronavirus ose t’i nënshtrohen karantinës për dy javë.

Suedia është në listë për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve me koronavirus në ditët e fundit, tha ministri austriak i Shëndetësisë, Rudolf Anschober.

Sipas tij, edhe Portugalia ka numër në rritje të rasteve, ndërsa Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar janë në mesin e vendeve me numrin më të lartë të të infektuarve.

XS
SM
MD
LG