Ndërlidhjet

Kosova shënon përvjetorin e lirisë


Ilustrim.
Ilustrim.

Kosova po shënon të premten 21-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s, përkatësisht trupave shumëkombëshe të KFOR-it.

Kjo ditë shënohet edhe si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës.

Në Kosovë janë paralajmëruar aktivitete të shumta për nder të kësaj dite. Kuvendi i Kosovës do të organizojë një seancë solemne.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë homazhe pranë memorialit të ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë humbur jetën deri sa kanë qenë duke shërbyer në Kosovë.

Ai tha se për Kosovën kjo është një ditë e veçantë.

“Është ditë e veçantë për popullin e Kosovës, këtë ditë, secili për neve e kemi parasysh entuziazmin dhe emocionin që kanë përjetuar qytetarët e Kosovës në atë ditë kur trupat e NATO-s futeshin në Kosovë. Jemi falënderues për partnerët tanë ndërkombëtarë për lirinë që ne sot e gëzojmë”, tha Hoti.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Gjenerali, Michele Risi, ambasadorë të shteteve të Quintit, diplomatë dhe deputetë kanë vendosur lule te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të KFOR-it në sheshin “Nëna Terezë”.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, ka thënë se kjo ditë duhet të shërbejë si kujtim për viktimat, por edhe për obligimet që ka shteti për të ardhmen.

“Sot, 21 vjet më parë, NATO-ja i dha fund një konflikti të tmerrshëm. U jam mirënjohës mbi 50,000 ushtarëve që kanë shërbyer në Kosovë që atëherë. Përkulem ndaj viktimave. Ata na kujtojnë për arritjet që kemi bërë që atëherë, por edhe për obligimet që duhet të përmbushen. Ne qëndruam dhe vazhdojmë të qëndrojmë për një shtet demokratik, multietnik, me sundim të pavarur të ligjit, për shërbimin e politikës për vendin dhe njerëzit, për media kritike dhe të pavarura, për liritë themelore dhe jo për një shtet që është si dhuratë për disa persona”, ka shkruar Heldt.

Ndërhyrja e NATO-s, përkatësisht dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjati 78 ditë.

Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, më 12 qershor 1999 filloi vendoja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot, 21 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it (NATO-s) janë në numër më të vogël, të cilët janë të dislokuar në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

XS
SM
MD
LG