Ndërlidhjet

Burrë e grua në luftë me virusin dhe larg fëmijëve


Lindita Berisha - infektologe
Lindita Berisha - infektologe

Kur në muajin mars u raportuan rastet e para me COVID-19 në Kosovë, çifti Murat dhe Lindita Berisha, të dy mjekë, e dinin se do të jenë në ballë të luftës së një virusi të panjohur.

Lindita, infektologe, dhe Murati kirurg i fëmijëve, kanë punuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjatë gjithë kohës së pandemisë.

Frika e tyre ishte se do ta merrnin virusin në spital dhe t’i infektonin fëmijët e tyre, 14 dhe 20 vjeçar. Për ta eliminuar një gjë të tillë ata i larguan fëmijët nga shtëpia dhe nuk i panë për dy muaj e gjysmë.

Lindita Berisha
Lindita Berisha

“Unë fillova të frikësohem se nëse e marr infeksionin do ta barti në shtëpi. Dhe kur filluan të hospitalizohen rastet e para, unë qëndroja në punë deri në orën 12 pas mesnate, fillova të mendoj që përpos mundësisë së bartjes së infeksionit, edhe kujdesi ndaj fëmijëve mungonte. Andaj vendosëm ti dërgojmë tek prindërit e mi në Prizren, për të mos i parë për dy muaj e gjysmë,” tha Lindita.

Ajo për Radion Evropa e Lirë, tregon ditët dhe netët e kaluara në Klinikën Infektive gjatë kohës së pandemisë, duke mos e fshehur edhe frikën që kishin nga ky virus i ri dhe i panjohur.

Përveç detyrës së saj si infektologe ajo dhe kolegët e saj është dashur të merren edhe me anën psikologjike të pacientëve të cilët ishin të frikësuar.

“Kur filluan të paraqiten rastet e dyshimta me koronavirus në Kosovë, çdo person që rezultonte negativ ishte gëzim i madh për secilin nga ne në klinikë. Kur u diagnostikua rasti i parë pozitiv me COVID-19, e dinim që do të ballafaqoheshim me sëmundje, si shumë vende që tashmë i kishte përfshirë infeksioni. Kur filluan rastet e para të hospitalizohen, ne si mjekë nuk kemi kryer vetëm punën e mjekut por jemi marrë edhe anën psikologjike të pacientëve, pasi ishin shumë të frikësuar, ata por edhe ne si mjek”, thotë ajo.

Video: Sfida e një infermieri në kohën e koronavirusit

Ajo thotë se shumica e të sëmurëve me COVID-19 bartnin ndjenjën e përgjegjësisë se mund të kishin infektuar edhe njerëz të tjerë, gjë që thotë se e karakterizonte si sëmundje ndryshe nga ato që kanë trajtuar.

Burri i Linditës, Murati, thotë se në Klinikën Kirurgjike brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është punuar vetëm me rastet urgjente, dhe se asnjë fëmijë i cili ka pasur nevojë për intervenim kirurgjik fatmirësisht nuk ka qenë i infektuar me koronavirus.

Ai thotë se e ka pasur shumë të vështirë largimin e fëmijëve të tij nga shtëpia për dy muaj e gjysmë.

“Ka qenë një situatë e palakmueshme, pasi çdo gjë ishte e kufizuar. Sidomos për fëmijët ka qenë e vështirë. Ata shpeshherë kanë kërkuar të vijnë në shtëpi, pavarësisht se i tregonim për rrezikun rreth pandemisë’’, tha ai.

Mjeku Murati thotë se ai nuk ka mbajtur orar të zgjatur si gruaja e tij, kështu që ai filloi të përgatiste ushqimin për gruan e cila rrinte me orë të zgjatura në Klinikën Infektive.

“Ajo që mund ta veçoj, dhe ajo që nuk e kam bërë më herët është përgatitja e ushqimit. Detyrimisht e kam bërë, pasi Lindita ka qenë më e angazhuar me punë dhe orar më të zgjatur se unë”, thotë ai.

Mjekja Lindita thotë se një nga momentet më të vështira ishte kur personat e rinj në moshë filluan t’i fusnin në oksigjenoterapi. Sipas saj në atë kohë kishte frikë të madhe në mesin e mjekëve“.

“Ndonëse kishim informata që të moshuarit kanë ecuri më të rëndë të sëmundjes, ndodhi e kundërta, dhe nuk dinim çka po ndodhë me sëmundjen. Një ditë që ja vlen me përmend është vdekja e parë kur ndodhi në klinikë. Ishim shumë të mërzitur dhe na dukej shumë e rëndë, vdekja nga COVID-19, pasi nuk e dinim se çka do të ndodhte më tej,” thotë Lindita.

Lindita thotë se puna me uniforma mbrojtëse gjatë gjithë kohës ka qenë e vështirë.

Sipas saj, mbikëqyrja e pacientëve të infektuar, duke përfshirë edhe bisedat me ta, zgjasnin deri në gjashtë orë.

XS
SM
MD
LG