Ndërlidhjet

Vuçiq: Nuk do të grindemi me Gjermaninë dhe SHBA-në, na duhen si aleate


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia gjendet para në periudhe jo të lehtë, por që “do të dijë që të luftojë për interesat shtetërore dhe kombëtare”.

Vuçiq e ka thënë këtë duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në Çaçak, lidhur me takimin e përfaqësuesve të Serbisë dhe të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, më 27 qershor, të cilin e ka paralajmëruar i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Vuçiq ka thënë që temë e takimit nuk do të jetë pranimi i pavarësisë së Kosovës, por ekonomia.

Ai ka rikujtuar që në kuadër të bisedimeve me zyrtarët ndërkombëtarë, pritet vizita në Serbi e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, vizita e vet Vuçiqit në Moskë dhe biseda me presidentin rus Vladimir Putin, si dhe që pas kësaj vizite, autoritetet e Serbisë “duhet të merren vesh se cili delegacion shkon në Uashington”.

“Pres bisedim të mirë me Lajçakun, si dhe një vizitë të mirë në Rusi. Do të shohim, së pari, nëse shqiptarët do të respektojnë atë që ka thënë Grenell lidhur me moskandidimin në institucionet ndërkombëtare, sepse mos harroni që më herët (presidenti i Kosovës, Hashim) Thaçi këtë nuk ka dashur kurrë ta pranojë. Unë e kam bërë këtë ofertë katër vjet dhe për katër vjet kam insistuar për këtë, sepse fushata kundër nesh ka qenë e tmerrshme dhe për katër vjet ata nuk kanë dashur ta pranojnë këtë. Tashmë jemi informuar se ata kanë pranuar”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve në Çaçak.

Ai ka shtuar edhe që “amerikanët tashmë kanë paralajmëruar se dëshirojnë të flasin për ekonominë”.

“Edhe deri më tash kemi folur për ekonominë dhe jo për çështjet tjera”, deklaroi Vuçiq.

I pyetur nga gazetarët që të komentojë deklaratat e diplomatit gjerman Wolfgang Ischinger dhe të Richard Grenellit në Twitter lidhur me rolin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, Vuçiqi ka thënë që Serbia “është vend i vogël” dhe se do të bisedojë me të gjithë, por se do të dijë që të ruajë interesat e veta si dhe “nuk do të dëgjojë atë që nuk i konvenon”.

“Unë mendoj që këtu po luhet një lojë e madhe ndërkombëtare ndërmjet lojtarëve të mëdhenj. Ne jemi të vegjël këtu, ne edhe shqiptarët. Nuk e kemi problemin që të bisedojmë. Atë që e shoh unë si problem është që nuk ka zgjidhje substanciale, esenciale, e cila do të ishte njëjtë e pranueshme ose e papranueshme për të dyja palët”, deklaroi Vuçiq.

Ai shtoi se ndërmjet SHBA-së dhe Gjermanisë është një “konflikt i madh politik”, por që Serbisë i nevojiten edhe SHBA-ja edhe Gjermania si aleate.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq deklaroi në Çaçak që bisedimet me autoritetet e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë janë “ekskluzivisht për ekonominë”.

“Përderisa kemi tema të rënda politike që duken si të pamundura për t’u zgjidhur, ne duhet në mënyrë paralele të punojmë për atë që të përmirësojmë kualitetin e jetës së të gjithë njerëzve, qofshin ata serbë, shqiptarë ose ndonjë i tretë”, ka thënë Bërnabiq.

Ajo shtoi që bisedimet e tilla janë në përputhje me gjithë atë “për çka Serbia ka bërë thirrje viteve të kaluara”.

“Gjithçka që kemi biseduar me ambasadorin Grenell, pra, linja ajrore ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ‘Autostrada e paqes’ nga Nishi deri në portin e Durrësit, për të cilin ne së shpejti do ta shpallim tenderin për trasenë nga Nishi deri në Ploçnik, linja hekurudhore...”, deklaroi Bërnabiq.

“Ne e përshëndesim këtë agjendë dhe mendojmë se është e rëndësishme”, theksoi ajo.

XS
SM
MD
LG