Ndërlidhjet

Hoti: Liderët politikë mbështetën qasjen e qeverisë për dialogun


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, pas takimit me liderët politikë, tha se ata i dhanë mbështetje qasjes së qeverisë për dialogun me Serbinë.

Kryeministri Hoti, tha se takimi i parë formal me liderët e partive politike, ka qenë “i suksesshëm”.

“Ata i dhanë mbështetje qasjes tonë për dialogun. Jam i inkurajuar me gjithë këtë mbështetje. Ne jemi gati që të ulemi në tavolinë të dialogut, për një qëllim të vetëm, për marrëveshje përfundimtare që nënkupton njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, tha kryeministri Hoti.

Në këtë takim morën pjesë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, përfaqësues të Aleancës Kosova e Re dhe anëtarë të partive të komuniteteve joshumicë.

Ftesën e kryeministrit Hoti e ka refuzuar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Po ashtu në takimin e thirrur nga Hoti, nuk ishin as përfaqësuesit e partisë Lista Serbe.

Kryeministri Hoti tha se ka pranuar ftesën që të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për procesin e dialogut.

“Të martën do të raportoj edhe në Kuvendin e Kosovës për procesin e dialogut”, tha Hoti.

Kryeministri Hoti tregoi po ashtu se mëngjesin e së enjtes ka pasur takim të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Takimi i mbajtur në objektin e qeverisë, është thirrur për të koordinuar qëndrimet për dialogun Kosovë – Serbi, para kryeministri Hoti të udhëtojë për në Uashington më 27 qershor.

Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Hoti dhe presidenti Hashim Thaçi, do të takohen më 27 qershor me palën serbe në Uashington, me ftesë të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovës-Serbi, Richard Grenell.

Dialogu politikë Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nisi më 2011. Në fund të vitit 2018, ky proces u ndërpre, për shkak të një takse të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Taksa u zëvendësua me masat e reciprocitetit, por më 6 qershor, qeveria e Avdullah Hotit hoqi reciprocitetit, me qëllim, siç është shprehur ai, t’i jepet shans rinisjes së dialogut.

Shtetet e Bashkuara në tetor të vitit 2019 emëruan Richard Grenellin si të dërguar të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi.

XS
SM
MD
LG