Ndërlidhjet

Osmani pas shkarkimit: Shihemi në zgjedhje


Vjosa Osmani, foto nga arkivi.

Vjosa Osmani thotë se Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e shkarkoi atë nga posti i nënkryetares dhe anëtares së kryesisë së kësaj partie sepse ajo nuk i ndryshoi qëndrimet për disa çështje, duke i porositur të gjithë ata që votuan për shkarkimin e saj, se do të shihen së shpejti në zgjedhje.

Osmani thotë se ajo u diferencua nga partia e saj sepse është grua, pasi sipas saj, asnjë burrë nuk është përjashtuar nga LDK që ka votuar kundër vendimeve të partisë.

“U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundërshtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.

Osmani ka falënderuar të gjithë antarët e Këshillit që kanë votuar kundër shkarkimit të saj, ndërsa ata që votuan pro i ka ftuar që të shihen në garat zgjedhore.

“Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë”, ka shkruar Osmani.

Osmani, kishte shprehur publikisht pakënaqësitë e saja lidhur me prishjen e koalicionit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në mars të këtij viti.

Gjatë mocionit të mosbesimit të ngritur nga LDK-ja më 25 mars, ndaj qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti, Osmani kishte votuar kundër.

Vjosa Osmani është shprehur kundër edhe qeverisë së re të formuar nga LDK-ja, që udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

Në seancën e 3 qershorit, kur u votua për qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, Osmani nuk mori fare pjesë.

XS
SM
MD
LG