Ndërlidhjet

Vuçiq: I takon Lajçakut të caktojë datën e rifillimit të dialogut


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak deklaroi se pret që negociatat të vazhdojë në muajin korrik në Bruksel.

Lajçak i bëri komentet pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

"Unë jam i gatshëm dhe plotësisht i përkushtuar për të vazhduar dialogun pa vonesë të mëtejshme dhe për t'i ndihmuar të dy palët të punojnë në një marrëveshje që do të normalizojë marrëdhëniet dhe do të zgjidhë të gjitha çështjet, e cila do të jetë e pranueshme si për rajonin ashtu edhe për Bashkimin Evropian", tha Lajçak.

Duke deklaruar se e ardhmja e Serbisë është evropiane, Lajçak theksoi se ajo është e lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Presidenti i Serbisë tha se Serbia pret vazhdimin e dialogut me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur, mbase në korrik, por se i takon Lajçakut të caktojë një datë.

Lajçak tha në Prishtinë javën e kaluar se ai i dinte datat e dialogut, por se ai do t'i bënte publike ato pas konsultimit me palët. Ai pas bisedimeve me zyrtarët e lartë shtetërorë tha se askush nuk mund t'i ofrojë të ardhme evropiane Kosovës, pos BE-së, andaj sipas tij, blloku evropian nuk mund të lihet anash nga procesi i bisedimeve.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me takimin e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, të thirrur nga i dërguari i SHBA-së, Richard Grenell, Lajçak tha se ka dëgjuar për atë iniciativë, “por që ata nuk ishin këshilluar për të dhe nuk komentoj iniciativat e të tjerëve”.

XS
SM
MD
LG