Ndërlidhjet

Kosova shënon edhe një vdekje nga COVID-19


Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Në Kosovë është konfirmuar edhe një vdekje nga sëmundja COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi i ri.

Klinika e Pulmologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se të hënën, në orët e pasditës kanë vdekur dy pacientë, njëri prej të cilëve ishte diagnostifikuar me COVID-19 ndërsa për tjetrin mbetet të konfirmohet nëse ishte i sëmurë nga COVID-19.

"Pacienti i parë, Xh.R. (1946) nga komuna e Gjilanit, përveç sëmundjeve të tjera, ishte i diagnostikuar edhe me Covid-19. Pacienti i dytë që ka vdekur, I.B.(1949) nga komuna e Prishtinës, në Klinikën e Pulmologjisë është pranuar sot pasdite dhe i është marrë mostra për testim për Covid-19 dhe mbetet të konfirmohet nga laboratori nëse i njëjti kishte edhe Covid-19 apo jo, krahas dy sëmundjeve të tjera shoqëruese", thuhet në njoftimin e Klinikës së Pulmologjisë.

Më herët, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka njoftuar se të hënën janë konfirmuar edhe 47 raste me koronavirusin e ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Sipas njoftimit, gjatë periudhës 24 orëshe janë shëruar edhe 22 pacientë.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars dhe deri më tani, janë regjistruar 2.216 raste me COVID-19, prej të cilëve 1069 janë shëruar ndërsa 38 kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG