Ndërlidhjet

Blakaj: E çuditshme sesi pa u konfirmuar aktakuza, dolën informacione për përmbajtjen


Bekim Blakaj

Se Dhomat e Specializuara do ngrisin aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaqi ka qenë e pritur, pasi emri i tij është përmendur edhe në raportin e Këshillit të Evropës, ka thënë në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Bekim Blakaj nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Por, ajo që ishte e çuditshme në komunikatën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e ditës se mërkurë, thotë Blakaj, është fakti se në disa lajme publike të mëhershme nga Dhomat e Specializuara është cek se informacionet nga aktakuzat janë konfidenciale deri në momentin kur konfirmohen ato.

"Ky rast nuk ishte dje”, shtoi Blakaj.

Nuk kemi parë, thotë ai, nga Tribunali i Hagës raste të tilla ku pa u konfirmuar aktakuza kanë dal informacione se çfarë përmban ajo aktakuzë.

“Pra ishte pak e çuditshme edhe gjuha në këtë komunikatë të djeshme ishte jo shumë e pritur dhe pak e habitshme. Mirëpo, fakt është se Prokuroria ka bërë hetime dhe e ka përgatitur aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit”, tha Blakaj.

Megjithatë, Blakaj thotë se Prokuroria i ka qëndrimet e veta dhe se ata e kanë një arsye pse kanë dal me emra konkret.

Ai këto komentet i ka bërë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, e njoftoi publikun të mërkurën se më 24 prill ka paraqitur në Dhomat e Specializuara një aktakuzë për shqyrtim, e cila ngarkon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin aktual të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe persona “të tjerë” me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë. Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e "të tjerëve", siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

XS
SM
MD
LG