Ndërlidhjet

BE-ja i dhuron Kosovës 6,000 kite për testim të koronavirusit


Flamujt evropianë.
Flamujt evropianë.

Bashkimi Evropian i ka dhuruar të enjten Kosovës mijëra pajisje mjekësore, me qëllim të lehtësimit të luftës kundër koronavirusit të ri.

Në kuadër të ndihmës në vlerë të 800,000 eurove përfshihen pajisje si: 6,000 kite për testim të koronavirusit, 90 shtretër, mbi 67,000 maska dhe aparaturë tjetër.

Pjesë e kësaj ngjarjeje ka qenë përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, e cila u ka bërë thirrje banorëve të Kosovës për kujdes të shtuar.

“Respektoni kufizimet shumë të rëndësishmë për të luftuar pandeminë. Për momentin e shohim që gjithandej Prishtinës, gjithandej Kosovës njerëzit po dalin, nuk respektojnë distancimin fizik, nuk vendosin maska dhe nuk janë fare të vetëdijshëm për pasojat tepër të rënda që po ndodhin, ndoshta jo për ne, por për më të moshurrit tanë”, ka deklaruar ajo.

Apostolova ka njoftuar se BE-ja do t’i dorëzojë javën e ardhshme Kosovës edhe disa ventilatorë, në kohën kur Klinika Infektive në Prishtinë veçse është e mbushur me pacientë të sëmurë me Covid-19.

Teksa ka falëndëruar bllokun evropian për ndihmën, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë prioritet shëndetin e tyre dhe jo dallimet politike në kohë pandemie.

“Mos lejoni që të kemi donacione të tilla në pafundësi, na mundësoni që ta përfundojmë pandeminë, respektoni masat, zbatoni rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë ministri Zemaj.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet në Kosovë kanë raportuar për 2,991 persona të infektuar me koronavirusin e ri.

Prej tyre, 1,293 persona janë shëruar, derisa 54 pacientë kanë vdekur.

Pas rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka miratuar disa masa shtesë për të frenuar përhapjen e sëmundjes Covid-19.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar se nëse masat e reja nuk zbatohen, Qeveria e Kosovës, do të rikthejë masat rigoroze që rekomandohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Megjithatë, ministri Zemaj, nuk ka dhënë detaje se për çfarë masash rigoroze bëhet fjalë.

Masat e reja kundër koronavirusit mund t'i lexoni këtu.

XS
SM
MD
LG