Ndërlidhjet

Turqia ndalon një anije me qindra migrantë


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Rojet bregdetare të Turqisë thanë se kanë ndaluar një anije që transportonte 276 migrantë në Greqi.

Një video e publikuar nga media shtetërore turke, tregonte dhjetëra migrantë të vendosur në hapësira pa ajër të mjaftueshëm.

Migrantët dhe tetë trafikantë të dyshuar u arrestuan, pak para se anija të fillonte lundrimin nga një port në rajonin perëndimor të Izmirit në Turqi.

Migrantët, përfshirë 59 fëmijë dhe 46 gra, janë nga Afganistani, Siria, Bangladeshi dhe Irani, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu.

Në Turqi janë rreth katër milionë refugjatë sirianë. Ky vend përdoret nga migrantët si një prej rrugëve kryesore për të arritur në Evropë.

Ankaraja dhe Bashkimi Evropian nënshkruan një marrëveshje në vitin 2016, sipas së cilës autoritetet turke janë zotuar të luftojnë trafikimin me migrantë, në këmbim të ndihmës financiare.

Por, Ankaraja akuzon BE-në se nuk po i respekton të gjitha angazhimet e saj.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha në muajin shkurt se do të hapë kufirin me Greqinë, duke shkaktuar një fluks të dhjetëra mijëra refugjatëve.

Fluksi i njerëzve u ngadalësua për shkak të mbylljes së kufijve gjatë pandemisë së koronavirusit. Megjithatë, Athina është shqetësuar me një rritje të numrit të migrantëve nga Turqia.

XS
SM
MD
LG