Ndërlidhjet

Weber: Qëllimet e dialogut Kosovë - Serbi të thuhen qartë dhe publikisht


Bodo Weber.
Bodo Weber.

Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është thënë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti, në vizitën e tij të parë në Francë si kryeministër, të martën është pritur në Pallatin Elise në Paris nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Në një komunikatë për medie nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, është thënë se kryeministri Hoti e siguroi presidentin Macron se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese, si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës.

Hoti dhe Macron kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi, i cili pas një ndërprerje prej afër 2 vjetësh do të rinisë 12 korrik në Bruksel.

“Kryeministri Hoti theksoi se Kosova është e përkushtuar për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se, në këtë takim u bisedua edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Hoti gjendet për vizitë në Paris, tre ditë para samitit virtual nën përkujdesjen e Francës, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe pesë ditë para rinisjes së dialogut në Bruksel, ku janë të ftuar kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nga ambasada e Francës në Prishtinë është thënë që pas samitit të fundit në Berlin, vitin e kaluar, samiti virtual në Paris, ditën e premte, shënon vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së.

Weber: Të​ caktohet korniza e dialogut në​ Samitin e Parisit

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për politikë të demokratizimit nga Berlini, pret që samiti nën përkujdesjen e Francës, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, të premten, do të sqarojë qëllimin dhe kornizën e dialogut, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Sipas tij, korniza fillestare dhe parimet e dialogut politik të viteve 2012 – 2013, i cili në mënyrë të qartë ndërlidhte perspektivën e Serbisë dhe anëtarësimin e saj në BE, me pranimin e realitetit për humbjen e Kosovës, heqjes dorë nga bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, “tashmë kanë humbur më krizën shumëvjeçare”.

“Do të duhej të vinte deri te një lloj i rivendosjes (të dialogut), gjë që shpresoj se do të ndodhë të premten në Paris. Kjo kërkon pozicion të qartë politik nga ana e të dy kryetarëve, gjegjësisht të presidentit Macron dhe të zonjës Merkel, se cili është qëllimi i dialogut dhe cila është korniza brenda së cilës bisedohet. Kjo duhet t’i bëhet me dije në mënyrë të qartë presidentit (Aleksandar) Vuçiq në Beograd dhe pastaj kjo duhet të jetë kornizë, përmes së cilës do të bisedonin përfaqësuesit e BE-së, zotëri Borrel dhe zotëri Lajçak”, thotë Weber.


Siç theksoi ai, është e rëndësishme që qëllimet e dialogut duhet të thuhen qartë dhe publikisht, “në mënyrë që të mos kemi të bëjmë me një lloj, siç thotë Serbia, të kompromisit, në të cilin gjithçka është e hapur kur bëhet fjalë për Kosovën”.

Gjithashtu, Weber thotë që tashmë është krejtësisht e logjikshme që bisedimet nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian, të udhëhiqen nga presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Këtu kemi të bëjmë me kombinim të faktorëve dhe një prej tyre është shpallja e aktpadisë kundër presidentit (të Kosovës, Hashim) Thaçi”, ka thënë Weber.

“Duhet të përkujtojmë se që nga viti i kaluar kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilën BE-ja që nga fillimi e ka marrë seriozisht, dhe kjo ka të bëjë me atë që dialogun, nga ana e Kosovës duhet ta udhëheqë kryeministri. Duhet përkujtuar edhe që në samitin e Berlinit, në muajin prill të vitit të kaluar, fjalën kryesore e ka pasur kryeministri i atëhershëm, (Ramush) Haradinaj dhe jo zotëri Thaçi”, theksoi Weber.

Duke komentuar edhe takimin ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, i cili takim është dashur të mbahej me nismën e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Richard Grenell, Weber thotë që mbetet të shihet nëse nga ai proces do të ketë diçka fare.

“Zotëri Grenell ka llogaritur në dy presidentët dhe nga vet ky fakt, pozicioni i tij është dobësuar pas publikimit të aktakuzës ndaj presidentit Thaçi”, theksoi Weber.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë, më 27 qershor, është anuluar pasi është publikuar që në Dhomat e Specializuara në Hagë është dorëzuar për shqyrtim aktpadia për krime të luftës ndaj Thaçit. Gjykatësi i procedurës paraprake ka gjashtë muaj kohë që të konfirmojë ose të hedhë poshtë aktakuzën, e cila është dorëzuar në muajin prill.

Ndërkaq, më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky takim ndërmjet Hotit dhe Vuçiqit do të shënojë rinisjen e dialogut, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të një takse të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet.

Por, Qeveria e Kosovës në muajin qershor vendosi që të heqë masat e reciprocitetit, me qëllim që, siç u tha, t’i jepet shans rinisjes së dialogut.

XS
SM
MD
LG