Ndërlidhjet

IKSHPK: Tre të vdekur dhe 205 raste të reja me koronavirusin e ri


Foto ilustrim.

Tre persona kanë vdekur nga koronavirusi i ri gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 97.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se janë regjistruar edhe 205 raste të reja me koronavirus pas testimit të 388 mostrave.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 4.512, kurse numri i rasteve aktive është 2.259.

Sipas IKSHPK-së, edhe 61 pacientë janë shëruar nga sëmundja.

Të premten në mbrëmje ​Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar marrjen e masave të rrepta kundër përhapjes së koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus ka diskutuar të premten në mbrëmje për situatën epidemiologjike në vend.

“Meqenëse ditëve të fundit numri i të infektuarve është shtuar së tepërmi, madje duke pasur pasoja të rënda edhe me jetë njerëzish, nga diskutimet e pjesëmarrësve doli se Qeveria dhe institucionet e tjera të vendit nuk mund ta përjashtojnë as marrjen e masave më të rrepta të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve”, thuhet në një njoftim të qeverisë.

Ndërkohë në një intervistë për televizionin Klan Kosova, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se të dielën do të zhvillohet një takim i Këshillit të Sigurisë ku pritet të vendoset nëse duhet të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme ose jo.

XS
SM
MD
LG