Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut - tri ditë votim me maska


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Në Maqedoninë e Veriut, 15 parti politike janë duke luftuar për 120 ulëse të parlamentit. Këto do të jenë zgjedhjet më të veçanta parlamentare sepse do të mbahen në kohën e pandemisë së koronavirusit, Për këtë arsye janë vendosur edhe protokolle të veçanta shëndetësore që duhet t’i përmbahen votuesit.Për herë të parë që nga pavarësia e vendit më 1991, ekziston një koalicion parazgjedhor midis një partie politike maqedonase dhe një partie shqiptare.

Në fushatën zgjedhore, partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) doli me idenë e zgjedhjes së një kryeministri shqiptar.

Fushata zgjedhore u shoqërua me akuza dhe kundërakuza të ashpra ndërmjet partive politike, të cilat u nxitën edhe nga publikimi i të ashtuquajturave "bomba", - biseda audio dhe video të përgjuara në mënyra të paligjshme.

Tri ditë zgjedhje

Zgjedhjet për përbërjen e re të parlamentit do të mbahen për tre ditë. Më 13 korrik, do të votojnë personat e infektuar me koronavirusin e ri dhe ata që janë të izoluar për shkak të virusit. Një ditë më pas, më 14 korrik, do të votojnë të sëmurët tjerë, të burgosurit dhe personat që jetojnë në shtëpitë për të moshuar. Dita kryesore e zgjedhjeve do të jetë të mërkurën më 15 korrik.

Për herë të parë, zgjedhjet nuk mbahen ditën e diel, si ka qenë e zakonshme. Kësaj rradhe, janë shtuar edhe orët kur qytetarët mund të votojnë. Vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 21:00. Në zgjedhjet e kaluara ato janë mbyllur në ora 19:00.

Si do të votojnë personat me COVID-19?

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka formuar ekipe të veçanta zgjedhore, në varësi të asaj se sa njerëz duan të votojnë. Bordi përbëhet nga tre punonjës shëndetësor, dhe përfaqësues të partive politike që kanë të drejtë të emërojnë një anëtar për të monitoruar votimin. Ata do të vizitojnë njerëz në izolim të cilët dëshirojnë të votojnë nga shtëpitë e tyre.

Një ditë më pas, më 14 korrik, 3.138 personat me sëmundje tjera dhe të burgosurit do të kenë të drejtë votimi.

Dita kryesore e votimeve

Në Maqedoninë e Veriut janë gjashtë zona zgjedhore. Komuna me numrin më të madh të votuesve është Kumanova me 93.600 votues. Në gjithë vendin do të jenë të hapura 3.750 vendvotime.

Askush nuk do të lejohet të votojë nëse nuk mban maskë mbrojtëse në fytyrë.

Maska mund të hiqet vetëm për identifikimin e personit që dëshiron të votojë. Votuesit janë të detyruar të mbajnë distancë 1.5 deri në 2 metra nga njëri tjetri, para ndërtesës së vendvotimit si dhe brenda tij.

Qytetarët do të duhet të dezinfektojnë duart para se të hyjnë dhe të largohen nga vendvotimi.

Një fushatë tjetër, "bombat" dhe ideja për një kryeministër shqiptar

Fushata zgjedhore ka filluar më 24 qershor dhe ka zgjatur 20 ditë. Gjatë fushatës nuk ka pasur tubime të mëdha për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Beteja politike është zhvilluar kryesisht në mediat tradicionale siç janë televizioni dhe radio si dhe në platformat e mediave sociale.


Pesëmbëdhjetë parti dhe koalicione garojnë për 120 vende në Parlamentin e Maqedonisë. Për dallim nga zgjedhjet e mëparshme, lista përfshin nëntë parti të reja dhe koalicione që nuk ishin pjesë e zgjedhjeve në vitin 2016.

Fushata zgjedhore u shënua nga premtimet ekonomike për paga dhe pensione më të larta, projekte të infrastrukturës si dhe mesazhe nacionaliste dhe lëshim pothuajse të përditshëm të regjistrimeve të paligjshme audio dhe video në të cilat aktorët politikë dyshohej se ishin kapur në biseda të dyshimta për krim dhe korrupsion.

Kryesisht shënjestra të këtyre përgjimeve të paligjshme ishin drejtuesit e dy partive më të mëdha, Zoran Zaev nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Partia qeverisëse, LSDM, garoi me moton "Mundemi" duke theksuar anëtarësimin e vendit në NATO si arritjen e saj, krahas stabilizimit të ekonomisë.

Partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE, me moton "Rimëkëmbja" premtoi një standard më të mire jetese, paga më të larta, pensione, subvencione për fermerët dhe shumë projekte infrastrukturore. Partia opozitare ka folur edhe për “dëmin” që kanë shkaktuar marrëveshjet e arritura me vendet fqinje, (Greqinë dhe Bullgarinë).

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është në pushtet qe dy dekada. Kjo parti në këto zgjedhje doli me idenë e një kryeministri të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Naser Ziberi, një ish-ligjëvënës dhe zyrtar partiak, u prezantua si kandidat për kryeministër i kësaj partie.

Në këto zgjedhje për herë të parë u krijua një koalicion parazgjedhor midis një partie maqedonase dhe një partie nga blloku shqiptar. LSDM dhe Lëvizja Besa garojnë së bashku në këto zgjedhje.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut u shpallen pasi vendi nuk arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian në vjeshtë të vitit të kaluar, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut.

Data fillestare për mbajtjen e zgjedhjeve ka qenë 12 prilli por ato u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Zgjedhjet do të monitorohen nga 2018 vëzhgues vendorë dhe 9 të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

XS
SM
MD
LG