Ndërlidhjet

Mbi 13 milionë të infektuar me koronavirus në botë


Numri i të infektuarve me koronavirus në gjithë botën ka kaluar 13 milionë, bëjnë të ditur të dhënat e Universitetit Johns Hopkins, me seli në Shtetet e Bashkuara.

Sipas tyre, SHBA-ja dhe Brazili prijnë edhe me numër të të infektuarve, edhe me numër të viktimave.

Pavarësisht shifrave, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetëisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se nuk është shumë vonë “për t’u futur në luftë”.

Pa përmendur asnjë vend me emër, ai tha se disa prej tyre kanë qenë të përgjegjshme në trajtimin e pandemisë dhe se po i kthehen jetës normale në mënyrë të sigurt.

Tedros gjithashtu tha se disa vende po shkojnë në drejtim të gabuar. “Ka skenarë të ndryshëm që po ndiqen në gjithë botën”, shtoi ai.

Video: Lloji i ri i COVID-19 më infektiv, a do të ketë vaksinë këtë vit?

Lloji i ri i COVID-19 më infektiv, a do të ketë vaksinë këtë vit?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:33 0:00

Kalifornia, shteti më i populluar i SHBA-së, i pezulloi planet për rihapjen e ekonomisë, për shkak të rritjes së rasteve të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Sëmundja në SHBA, e cila ka prekur mbi 3.3 milionë dhe ka marrë mbi 135,000 jetë njerëzish, ka vazhduar të përhapet sidomos në jug dhe perëndim, ku shumë shtete i kanë hequr masat e kufizimit në muajin maj.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, lëshoi urdhër për kufizimin e aktiviteteve në ambiente të mbyllura, përfshirë mbylljen e bareve, ndalimin e ngrënies brenda në restorante, si dhe mbylljen e kinemave dhe të muzeve.

Për më tepër, për 30 qarqe në listën e vëzhgimit të shtetit, Newsom urdhëroi që të ndalohen aktivitetet në palestra, objekte fetare, parukeri, qendra tregtare dhe zyra për sektorë joesencialë.

Këto qarqe përfaqësojnë 80 për qind të popullsisë së Kalifornisë.

Kalifornia ka qenë shteti i parë në SHBA që ka lëshuar urdhër të detyrueshëm të qëndrimit në shtëpi më 19 mars, për të kufizuar përhapjen e koronavirusit.

Por, Newsom ka nisur të rihapë ekonominë e shtetit në maj, pasi mbi 7.5 milionë njerëz atje kanë mbetur pa punë.

Numri i rasteve të reja me COVID-19 filloi të rritet pastaj në qershor dhe korrik.

Kalifornia regjistron tani rreth 8,000 raste të reja në ditë; shtrimet në spital atje janë rritur për 28 për qind në dy javët e fundit dhe përqindja e testeve të koronavirusit që dalin pozitive, është rritur në 7.4 për qind.

Shkalla e pozitivitetit mbi 5 për qind konsiderohet si shenjë shqetësuese për transmetimin e sëmundjes në komunitet.

Koronavirusi vazhdon ta godasë rëndë edhe Brazilin, ku në 24 orët e fundit janë konfirmuar mbi 20,000 raste të reja dhe mbi 700 viktima.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Brazil, ky vend ka regjistruar afro 1.9 milion raste me koronavirus dhe mbi 72,000 viktima.

Jashtë Amerikave, India është vendi më i prekur nga koronavirusi. Numri i rasteve atje u rrit të martën për mbi 28,500, përkatësisht në mbi 906,000.

Ministria e Shëndetësisë e Indisë raportoi gjithashtu për 553 vdekje në 24 orët e kaluara, të cilat e çojnë në 23,727 numrin e përgjithshëm të viktimave.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG