Ndërlidhjet

MSH e ndryshon kohën e raportimit për situatën epidemiologjike


Ilustrim
Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se që nga data 15 korrik, njoftimet për rastet e reja të të infektuarve dhe viktimave nga COVID-19, do të bëhen publike në ora 15:00.

“Po në këtë komunikim, çdo ditë do të jepen edhe të dhënat për numrin e pacientëve të shtrirë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe njësitë e tij- spitalet e përgjithshme, gjendjen shëndetësore të pacientëve si dhe karakteristika të tjera me interes rreth ecurisë klinike të Covid-19 në Kosovë”, thuhet në komunikatën e ministrisë së Shëndetësisë.

Deri më tani, njoftimet e Institutit të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) janë shpallur çdo ditë, në orët e vona të mbrëmjes.

Ndërkohë IKSHPK ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme (e martë), në Laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, janë duke u testuar rreth 400 mostra të marra për koronavirusin e ri.

“Rezultatet e këtyre mostrave do të publikohen gjatë ditës së nesërme”, thuhet në njoftim.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe 7 spitalet e përgjithshme: Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Vushtrri janë të hospitalizuar 460 pacientë.

“Prej tyre, 306 pacientë janë të konfirmuar me Covid-19 nga të cilët 217 pacientë janë me oksigjenoterapi dhe 11 të intubuar”, thuhet në njoftimin të ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, që nga regjistrimi i rasteve të para me koronavirus më 13 mars e deri më 13 korrik, janë regjistruar në total 5,118 raste.

Prej tyre, 108 pacientë kanë vdekur, 2,370 janë shëruar, ndërsa raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 2,640.

XS
SM
MD
LG