Ndërlidhjet

Kryeministri Hoti takon zyrtarë të lartë të BE-së


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ndodhet në Bruksel ku nesër pritet të ketë takim të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sot (15 korrik) kryeministri Hoti ka pasur disa takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe një takim me Komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi. Përveç çështjes së dialogut me Serbinë, në këto takime, është folur edhe për asistencën e BE-së në procesin e rimëkëmbjes ekonomike si dhe në përballjen me pandeminë e COVID-19.

Sipas njoftimeve nga BE-ja takimi Hoti-Vuçiq do të nis të enjten në orët e pasdites. Nga ana e BE-së takimin do ta lehtësojnë Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ata pritet që së pari të kenë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentin e Serbisë, Alekandar Vuçiq, për të pasuar më vonë me një takim të përbashkët në kuadër të dialogut.

Do të jetë ky takimi i parë me praninë fizike të pjesëmarrësve në dialog, pasi të dielën që shkoj ata patën një konferencë virtuale.

Në BE tashmë konsiderojnë se dialogu ka rifilluar. Zyrtarët evropianë thonë se palët kanë rënë dakord për agjendën e dialogut, por nuk japin hollësi se cilat tema pritet të jenë në rend dite.

Nga burimet brenda BE-së është përmendur edhe mundësia që presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të organizoj nesër një takim të përbashkët me kryeministrin Hoti dhe presidentin Vuçiq, para se të nis takimi në kuadër të dialogut.

Në këtë mënyrë BE-ja dëshiron të tregoj se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë qëndron më së larti në agjendën e Bashkimit Evropian.

Por, ky takim me presidentin e Këshillit Evropian varet edhe nga agjenda e tij, pasi ai është në konsultime të pandërprera me shefat e shteteve apo qeverive të BE-së në përpjekje për të arritur marrëveshjen për Kornizën shumëvjeçare financiare të BE-së dhe fondit për rimëkëmbje.

Këto do të jetë edhe temat kryesore të samitit të BE-së, të premten dhe të shtunën në Bruksel, samiti i parë me praninë fizike të shefave të shteteve apo qeverive të BE-së, që nga fillimi i pandemisë.

XS
SM
MD
LG