Ndërlidhjet

Katër të vdekur dhe 119 raste të reja me COVID-19


Foto e bërë në Klinikën Infektive të QKUK-së, aty ku po trajtohen pacientët me COVID-19.
Foto e bërë në Klinikën Infektive të QKUK-së, aty ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

Në Kosovë janë regjistruar katër vdekje nga koronavirusi dhe 119 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus.

Kështu u tha në një konferencë për media, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Të dhënat i referohen testimit të 420 mostrave më 14 korrik, me metodën RT-PCR.

Sipas këtyre të dhënave, numri i viktimave ka shkuar në 112 ndërkaq, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 5237. Ndërkaq, 92 pacientë janë shëruar, duke bërë që numri i të shëruarve të arrijë në 2462.

Raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 2663.

“Situata ka filluar të normalizohet, të jetë më e qetë dhe më nën kontroll”, tha drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi tha se në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet rajonale po trajtohen 492 raste të konfirmuar apo të dyshuar me sëmundjen COVID-19.

Prej këtij numri, 314 raste janë të konfirmuara me COVID-19, ku 177 prej tyre po trajtohen në klinikat e Qendrës Klinike Universitare dhe 137 të tjerë në spitalet rajonale.

“Prej numrit të të konfirmuarve kemi 13 pacientë me ventilim mekanik, pra të intubuar që i cilësojmë si në gjendje kritike”, tha Krasniqi.

Krasniqi shtoi se në spitalin e Prizrenit janë shtuar edhe dhjetë shtretër për mjekim intensiv.

Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja thanë se që nga e mërkura, për çdo ditë në orën 15:00 përmes konferencave për media, do të raportohet për rastet e reja me koronavirus.

XS
SM
MD
LG