Ndërlidhjet

Piraterohen llogari të profileve të larta në Twitter


Hakerë të paidentifikuar u futën në disa llogari të profileve të larta në Twitter, me sa duket me një skemë mashtruese për monedhën digjitale Bitcoin.

Llogaria zyrtare e kandidatit për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe ajo e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, janë në mesin e atyre që u pirateruan.

Të tjera që u komprometuan janë llogaria e shefit të kompanisë Tesla, Elon Musk, e themeluesit të Amazonit, Jeff Bezos, dhe e bashkëthemeluesit të Microsoftit, Bill Gates.

Sulmi duket se kishte në shënjestër përdoruesit e verifikuar, që përfshijnë njerëz të famshëm, gazetarë, politikanë, kryetarë shtetesh dhe shërbime emergjente.

Jo të gjithë përdoruesit e verifikuar ishin në shënjestër, përfshirë këtu edhe llogarinë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në përgjigje të sulmit, Twitter i hoqi shpejt mesazhet e mashtrimit dhe kufizoi mundësinë e përdoruesve të verifikuar për të përdorur llogaritë e tyre për disa orë.

Në disa raste, llogaritë dërguan disa mesazhe mashtruese, duke lënë të kuptohet se Twitter ka pak kontroll mbi situatën.

Mesazhet e hakerëve u bënin thirrje përdoruesve të tjerë në rrjetin social që të dërgojnë monedha Bitcoin, duke përdorur një vegëz.

“Do t’i ndihmoj të tjerët. Të gjitha monedhat Bitcoin, të dërguara në mesazhin më poshtë, do të kthehen prapa dyfish. Nëse ju dërgoni 1,000 dollarë, unë do të kthej prapa 2,000. Kjo do të bëhet vetëm për 30 minuta”, thuhej në një postim në llogarinë e ish-nënpresidentit amerikan, Joe Biden.

Mesazhe të ngjashme pati edhe në llogaritë e tjera.

Kuletat e Bitcoinit, të lidhura me postimet mashtruese, kanë marrë më shumë se 100,000 dollarë të monedhës digjitale, mbrëmjen vonë të 15 korrikut.

Shkalla e sulmit të koordinuar sugjeron se hakerët mund të kenë fituar qasje në infrastrukturën e brendshme të Twitterit.

"Ky duket se është sulmi më i keq në një platformë të madhe të mediave sociale", tha Dmitri Alperovitch, bashkëthemelues i kompanisë së sigurisë në internet CrowdStrike.

Michael Borohovski, drejtor i inxhinierisë së softuerëve në kompaninë e sigurisë Synopsys, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ka të ngjarë që hakerët kanë ndërhyrë në nivelin e sistemit.

"Nëse hakerët kanë qasje në sfondin e Twitterit, ose qasje të drejtpërdrejtë në bazën e të dhënave, nuk ka asgjë që i ndalon ata të vjedhin të dhëna, përveçse t’i përdorin postimet mashtruese si shpërqendrim", tha ai.

Shefi ekzekutiv i Twitterit, Jack Dorsey, tha se kompania po e diagnostikon problemin.

"Ditë e vështirë për ne në Twitter. Të gjithë ndjehemi të tronditur nga që kjo ndodhi", tha ai.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG