Ndërlidhjet

Edhe dhjetë viktima nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut


Shkup, Maqedoni e Veriut
Shkup, Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut ka regjistruar edhe dhjetë viktima nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, dhe 96 raste të reja pozitive.

Këto të dhëna të Ministrisë së Shëndetësisë i referohen testimit të 724 mostrave në 24 orët e fundit.

Katër nga viktimat e fundit janë nga Shkupi, dy nga Kumanova dhe nga një në qytetet e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe Shtipit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të gjithë personat e vdekur janë të moshës mbi 60 vjeç, të cilët në spital janë pranuar edhe me sëmundje të tjera kronike.

Numri i përgjithshëm viktimave nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ka arritur tani në 432.

Prej tyre, 169 janë vetëm nga qyteti i Shkupit.

Maqedonia e Veriut ka konfirmuar gjithsej 9,249 raste pozitive me koronavirus, nga 86,543 teste të bëra.

Raste aktive mbeten 3,946.

Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut të hënën ka regjistruar 61 persona të shëruar, me të cilët numri i përgjithshëm i atyre që kanë fituar betejën me koronavirus arrin në 4,871.

Ministria e Shëndetësisë në këtë vend bëri të ditur se nga dita e hënë do të mbyllen të gjitha lokalet dhe restorantet që nuk i respektojnë masat mbrojtëse.

Njoftimi vjen pas publikimit në rrjetet sociale të disa videove me manifestime e koncerte, ku nuk përfillen masat mbrojtëse, si distanca fizike.

Rastet e mosrespektimit të rekomandimeve të institucioneve shëndetësore po hetohen nga Prokuroria Publike Republikane.

XS
SM
MD
LG