Ndërlidhjet

Pasi i mbijetoi mocionit të mosbesimit, Borisov bën ndryshime në qeveri


Kryeministri bullgar, Boyko Borisov.

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov ka larguar disa ministra, në mesin e tyre tre ministra kyçë të kabinetit të tij qeverisës. Ky riorganizim i qeverisë ka për synim që të qetësojë situatën, pasi për disa javë me radhë në Bullgari janë organizuar protesta kundër korrupsionit, ku protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Borisov.

Ndryshimet në qeveri vijnë pasi ekzekutivi i udhëhequr nga Borisov, më 21 korrik i mbijetoi një mocioni të mosbesimit në parlament.

Borisov ka shkarkuar ministrin e Financave, të Ekonomisë si dhe atë të Brendshëm. Këta tre ministra ishin përfolur se i kishin shërbyer interesave të një biznesmenit, Delyan Peevski, i cili ka në pronësi media dhe është i lidhur me partinë opozitare MRF.

Borisov njoftoi se ka shkarkuar po ashtu edhe ministrin e Turizmit si dhe ka bërë ndryshime edhe në ministri të tjera.

Pas një takimi me partnerët e tij të koalicionit, Borisov njoftoi se në vend të Vladislav Goranov, tani ministrin e Financave do ta udhëheqë Kiril Ananiev.

Konstadin Angelov – që deri më tani ka qenë drejtues i spitalit më të madh në Bullgari, Spitalit Alexandrovska – është emëruar ministër i Shëndetësisë.

Hristo Terziiski, që deri më tani ka qenë drejtor i policisë, do të zëvendësojë Mladen Marinov në postin e ministrit të Brendshëm. Ndërkaq, Lachezar Borisov ka marrë drejtimin e dikasterit të Ekonomisë.

Borisov po ashtu ka emëruar për ministre të Turizmit, Mariana Nikolova.

Mijëra protestues për më shumë se dy javë kanë protestuar kundër qeverisë së Borisovit, të cilën e kanë akuzuar se po favorizon oligarkë të caktuar.

Bullgaria, anëtarja më e varfër e Bashkimit Evropian, po ashtu është anëtarja më e korruptuar në mesin e 27 vendeve të bllokut, ka vlerësuar organizata Transparency International.

XS
SM
MD
LG