Ndërlidhjet

Më shumë se 400 punëtorë shëndetësorë janë të infektuar me koronavirus në Kosovë


Ilustrim

Federata Sindikale e Shëndetësisë në Kosovë, thotë se më shumë se 400 punëtorë shëndetësorë janë të infektuar me koronavirusin e ri.

Drejtuesit e sindikatës kanë ngritur shqetësime se nga infektimi i punëtorëve shëndetësorë, kujdesi ndaj pacientëve po vihet në rrezik.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, tha për Radion Evropa e Lirë, se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, duhet të bëjë më shumë teste për mjekët, infermierët dhe stafin përcjellës.

"Me të vërtetë situata është alarmante dhe punëtorët janë duke u lodhur dhe domosdoshmërisht do të bije edhe shërbimi ngase kur të dalin nga sistemi afër 700 veta të izoluar, po them kështu se nuk kemi statistika [për personelin mjekësor i vetizoluar] prandaj kjo me të vërtetë është shumë alarmante", tha Syla.

Federata aktualisht është duke kërkuar urgjentisht të bëhen teste më shumë te punëtorët shëndetësorë të cilat janë të vetizoluar në mënyrë që siç theksohet, situata të jetë nën kontroll.

"Nuk e dimë dhe nuk kemi numra se sa punonjës shëndetësor janë në vetizolim. Këtu është ai problemi sepse nuk po e dimë. Shpesh dikush vet po shkon në vet izolim mirëpo, duhet të vendoset një rregull. Tek e fundit të rritet numri i testimeve te punëtoret shëndetësor dhe ta dimë realitetin në mënyrë që stafi të mos shkojë në vetizolim, por të kryejë shërbim", tha Syla.

Në Kosovë, në mesin e punonjësve shëndetësorë që janë infektuar me koronavirusin e ri, bëjnë pjesë edhe 8 mjekë anesteziologë dhe 30 infermierë të Klinikës së Anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, në fillim të këtij muaji tha se “infektimi i një numri të lartë të personelit shëndetësor, mund të paraqesë sfidë serioze në trajtimin adekuat të pacientëve”.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por edhe në spitalet e tjera në Komuna të Kosovës, si dhe të gjitha spitalet rajonale në vazhdimësi gjatë viteve të fundit janë përballur me mungesë të anesteziologëve.

XS
SM
MD
LG