Ndërlidhjet

Përbërja e re e Parlamentit të Maqedonisë së V. - mundësi për një debat të frytshëm


Foto nga arkivi

Rezultati i ngushtë i prodhuar nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut mes oponentëve politikë maqedonas dhe shqiptarë, krijon mundësi që institucioni ligjvënës në vend të luajë rolin e një korrektuesi të politikave të qeverisë, theksojnë njohësit e çështjeve politike.

Vetëm dy deputetë është dallimi mes koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja dhe koalicionit të drejtuar nga VMRO DPMNE-së.

Edhe tek blloku politik shqiptar, pothuajse ka rezultat të balancuar, me një dallim prej 3 deputetësh. Bashkimi Demokratik për Integrim është i përfaqësuar me 15 deputetë dhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët me Alternativën kanë siguruar 12 deputetë.

Njohësit e çështjeve politike thonë se ky rezultat mundëson që parlamenti të shndërrohet në një mejdan të promovimit të interesave të qytetarëve dhe jo të marrë rolin e një trampoline të politikave të qeverisë siç ka ndodhur gjatë dekadës së fundit, pasi kushdo që do të mbetet në opozitë do të jetë opozitë e fuqishme e cila do të ketë kapacitet që të bllokojë punën e institucionit ligjvënës.

Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike, për Radion Evropa e lirë vlerëson se ngritja e numrit të deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut në mbi 30 deputetë si dhe balancimi në njëfar forme i forcave politike lë hapësirë për një luftë konstruktive në favor të interesave të qytetarëve shqiptarë, por edhe të gjithë qytetarëve në përgjithësi.

“Në këtë përbërje parlamentare kemi një balancim të forcave politike. Tani për herë të parë Bashkimi Demokratik për Integrim do të ketë më pak deputetë se grupi i deputetëve të tjerë nga partitë e tjera së bashku. Kështu që do të kemi një debat interesant dhe unë nuk mendoj se gjërat do të kalojnë lehtë".

"Tek pala shqiptare ka edhe një moment të ri, tani votimin e dyfishtë më nuk e ka vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe ky është lajmi i mirë se nuk mund të dëmtohen shqiptarët, po lirisht Aleanca apo Besa mund t'i bllokojnë këto ligje të cilat në të kaluarën është treguar se një pjesë e tyre janë të dëmshme”, thotë Sinani.

Ndërkaq Misha Popoviq, nga Instituti për Demokraci për Radion Evropa e Lirë thotë se me faktin se mbi 80 deputetë janë të rinj do të vërehet një luftë e ashpër për tu bërë të dukshëm jo vetëm për opinionin, por edhe për partinë që i ka deleguar.

“Mungesa e demokracisë brenda për brenda partive politike domosdo reflektohet edhe në parlament, sepse zakonisht në të kaluarën shumë probleme për të cilat është dashur të vendosin deputetë në parlament me votën e tyre janë zgjidhur jashtë parlamentit".

Tani kemi një situatë shumë interesante, figura të reja që kanë shumë potencial, por u mungon përvoja”, thekson Popoviq duke shtuar se për të pasur një parlament kualitativ do të duhet që partitë të investojnë më shumë në demokratizimin e brendshëm si dhe shkollat politike që do të prodhonin kuadër të përgatitur.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut ishte notuar me kritika negative jo rrallë herë nga faktori ndërkombëtar për shkak të bllokimit të punës së parlamentit përmes zbrazëtirave në rregulloren e punës së parlamentit duke u propozuar herë njëri tabor politik e herë tjetri me mijëra amendamente rreth ligjeve të caktuara dhe jo beteja të zhvillohet përmes debateve konstruktive rreth ligjeve në fjalë.

Të shtunën, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka certifikuar mandatet e deputetëve të cilët siguruan ulëse në institucionin ligjvënës, në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut.

Koalicioni i LSDM-së mori 46 mandate, koalicioni i VMRO-DPMNE-së mori 44, BDI mori 15 mandate, koalicioni ASH-AAA siguroi 12 mandate, partia e majtë 2 dhe PDSH 1.

XS
SM
MD
LG