Ndërlidhjet

Nis zbatimi i armëpushimit në lindje të Ukrainës


Një ushtar ukrainas në Luhansk.

Armëpushimi i plotë në mes të forcave ukrainase dhe separatistëve të përkrahur nga Rusia në lindje të Ukrainës, ka hyrë në fuqi ditën e hënë.

Kjo masë ka nisur së zbatuari vetëm disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin kanë diskutuar për konfliktin në lindje të Ukrainës.

Të dy zyrtarët kanë shpehur mbështetje për armëpushimin, për të cilin është arritur pajtueshmëri një javë më parë përmes negociatorëve nga Ukraina, Rusia dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Zyra e Zelenskyit ka njoftuar se presidenti ukrainas i ka thënë Putinit përmes telefonit se ende duhet bërë hapa që të lirohen shtetasit ukrainas, që po mbahen në lindje të Ukrainës, në Krime dhe Rusi.

Kremlini ka thënë se Putin i ka treguar Zelenskyit që vendimi i Ukrainës për të mbajtur zgjedhjet rajonale më 2020, është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Minsk, që synojnë të zgjidhin konfliktet e nisura më 2014.

Zelenskiy është zgjedhur president i Ukrainës vitin e kaluar me premtimet për t’iu dhënë fund konflikteve në rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut.

Gjermania dhe Franca kanë qenë ndërmjetësuese të marrëveshjeve të paqes në mes të Ukrainës dhe Rusisë, të nënshkruara në Minsk më 2015, mirëpo përpjekjet për zbatim të tyre kanë hasur në pengesa.

Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina më 2014 dhe më pas ka përkrahur forcat separatiste në lindje të Ukrainës, duke nxitur luftë që ka rezultuar me rreth 13,200 persona të vdekur.

XS
SM
MD
LG