Ndërlidhjet

Rënie e lehtë e rasteve me koronavirus në Kosovë: 194 të reja


Klinika Infektive në Prishtinë

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, bëri të ditur se në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 194 raste të reja me koronavirus, ndërsa janë testuar 449 mostra.

Ramadani tha se, në krahasim me ditët e tjera, ka rënie të lehtë të numrit të rasteve, e cila “nuk është e vazhdueshme, por është ditore”.

Sipas tij, numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi ka arritur në 196 - me katër viktima të regjistruara në 24 orët e fundit.

Ramadani po ashtu tha se 138 pacientë janë shëruar, me të cilët numri i përgjithshëm i të shëruarve nga koronavirusi arrin në 4,267.

Kosova i ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars dhe, që atëherë, ka konfirmuar në total 7,846 raste pozitive.

Të hënën u regjistrua numër rekord i rasteve, përkatësisht 276, ndërsa të martën pati edhe 239 raste të tjera.

Ramadani i kumtoi rezultatet e reja në një konferencë për media në Mitrovicë të Jugut, ku mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj.

Zemaj u zotua se do t’i rrisë kapacitetet e spitalit rajonal në Mitrovicë, në mënyrë që, siç tha, të përmbushen nevojat e qytetarëve të qytetit dhe të rajonit.

XS
SM
MD
LG