Ndërlidhjet

SHBA kërkon zgjedhje të lira në Bjellorusi


Protesta e opozitës në Minsk, 30 korrik, 2020.

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Bjellorusisë që zgjedhjet e ardhshme presidenciale t’i zhvillojnë në një mënyrë të lirë dhe të ndershme, ndërsa shprehën zhgënjimin e tyre për mungesën e vëzhguesve perëndimorë në votim.

Bjellorusia, e cila do t’i mbajë zgjedhjet presidenciale më 9 gusht, nuk e ka ftuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë që t’i vëzhgojë ato.

“Na vjen shumë keq që OSBE-ja nuk do të ketë mundësi t’i vëzhgojë këto zgjedhje”, tha George Kent, zëvendës i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për mbikëqyrjen e politikave në Bjellorusi.

Dhjetëra-mijëra njerëz u mblodhën të enjten mbrëma në Minsk, në një tubim të thirrur nga Svetlana Tikhanovskaya, kandidate e opozitës, e cila do të sfidojë presidentin aktual, Alyaksandr Lukashenka, në zgjedhje.

Sipas grupit për të drejtat e njeriut Viasna, protesta tërhoqi mbi 60,000 njerëz.

Lukashenka është përballur me një valë protestash prejse ka vendosur të garojë për mandatin e gjashtë presidencial.

Ai ka ushtruar kontroll autoritar mbi Bjellorusinë qëkur ka marrë detyrën në vitin 1994.

Tikhanovskaya ka vendosur të garojë në zgjedhje, pasi bashkëshorti i saj është ndaluar të kandidojë dhe është arrestuar në fillim të këtij viti.

“Njerëzit që duan një jetë të mirë, nuk janë kriminelë. Ata janë njerëzit tanë, njerëz që duan një ndryshim paqësor të pushtetit”, tha Tikhanovskaya përpara turmave.

Autoritetet shtetërore e kanë akuzuar burrin e Tikhanovskayas, Syarhey Tsikhanouski, për bashkëpunim me mercenarët rusë, për të shkaktuar trazira përpara zgjedhjeve. Tikhanovskaya i ka hedhur poshtë akuzat.

XS
SM
MD
LG