Ndërlidhjet

Studiuesit rusë thonë se do të nisin prodhimin e vaksinës kundër COVID-19 në muajin nëntor


Ilustrim.
Ilustrim.

Studiuesit e njërës prej dy vaksinave potenciale që po zhvillohen në Rusi, kundër koronavirusit, thonë se po presin miratimin e autoriteteve për vaksinën e tyre dhe se po planifikojnë që të nisin prodhimin e saj në muajin nëntor.

Këto pretendime të institutit shtetëror Vektor, janë në kundërshtim me disa paralajmërime të zyrtarëve rusë se një program i vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19 – që e shkakton koronavirusi – do të nisë në tetor.

Drejtori i përgjithshëm i Institutit kërkimor shtetëror Vektor, Rinat Maksyutov, tha sot se ky institucion planifikon që të nisë prodhimin e vaksinës në muajin nëntor.

“Ne presim që të nisim prodhimin në nëntor të këtij viti”, tha ai, raporton Tass.

“Pra, kah fundi i këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm ne mund të flasim për dhënien e vaksinës, të paktën për njerëzit që konsiderohen grupe të rrezikuara dhe më pas të kalojmë në vaksinim masiv”.

Por, zyrtarët rusë, në vazhdimësi kanë thënë se vaksina kundër koronavirusit do të jetë e qasshme më herët.

Ministri i Shëndetësisë, Mikhail Murashko është zotuar se Rusia do të nisë një fushatë të vaksinimit në masë kundër koronavirusit në muajin tetor. Ai ka thënë se të parët që do të vaksinohen do të jenë mësuesit dhe profesionistët shëndetësorë.

Sipas të dhënave, në Rusi të paktën 849 mijë persona janë infektuar dhe mbi 14 mijë të tjerë kanë vdekur nga koronavirusi.

Aktualisht, në botë, janë duke u zhvilluar mbi 100 vaksina potenciale kundër koronavirusit. Ky virues në nivel global, ka vrarë të paktën 685 mijë persona, ndërkaq janë infektuar mbi 17 milionë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG