Ndërlidhjet

Hiqen kufizimet e numrit të fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës


Aeroporti i Prishtinës.
Aeroporti i Prishtinës.

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të mbajtur të premten ka marrë vendim që t'i heqë kufizimet në intervalet e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Më 5 korrik qeveria pati vendosur që fluturimet të realizohen në intervale kohore prej 45 minutave.

Kjo, për shkak të mbrojtjes nga mundësia e përhapjes së koronavirusit të ri.

Mirëpo, me vendimin e ri nuk do të ketë më kufizime të numrit të fluturimeve.

“Ministria e Infrastrukturës ka vlerësuar se mund të hiqen kufizimet prej 45 minutash ndërmjet aterrimeve dhe të vazhdohen operimet pa kufizime në numrin e fluturimeve, por me masa të shtuara që do të implementohen nga Aeroporti dhe do të monitorohen nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës dhe autoritetet e tjera relevante”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për hapjen e të gjitha pikave kufitare me vendet e rajonit, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Pikat kufitare që do të hapen janë: Shishtavicë, Orshuq, Borje me Shqipërinë, Glloboqicë, Stanqiq me Maqedoninë e Veriu si dhe pika e kalimit kufitar në Bërnjak me Serbinë.

Qeveria e Kosovës në qershor vendosi për rihapjen e kufijve tokësorë që ishin mbyllur qysh më 13 mars, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Megjithatë, përmes atij vendimi nuk ishin hapur të gjitha pikat kufitare me vendet e rajonit.

Qeveria ka sqaruar se mbeten në fuqi të gjitha masat që ishin miratuar më parë sa u përket hyrje-daljeve në territorin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG