Ndërlidhjet

Trump thotë se do të rikthejë sanksionet ndaj Iranit në OKB, javën e ardhshme


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA-ja do të tentojë të rikthejë sanksionet ndaj Iranit në Kombet e Bashkuara javën e ardhshme, lëvizje kjo që do t’i jepte fund marrëveshjes bërthamore të Iranit dhe do ta fuste OKB-në në krizë diplomatike.

“Ne do të bëjmë një rikthim”, u tha Trump gazetarëve një ditë pasi OKB refuzoi një rezolutë të sponzoruar nga SHBA-ja për të zgjatur embargon ndaj armëve të Iranit.

“Do ta shikoni javën tjetër”, tha Trump.

Rezoluta e refuzuar e hartuar nga SHBA-ja do të mund të zgjaste një embargo ndërkombëtare të armëve mbi Iranin, që do të lehtësohet në mënyrë progresive duke filluar më 18 tetor, nën Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit, ku përfshihet marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Teheranit dhe fuqive botërore.

Uashingtoni ka kërcënuar të shkaktojë një "kthim mbrapa" të të gjitha sanksioneve të OKB-së mbi Iranin nëse vota e embargos dështon, veprim ky që ekspertët thonë se do ta hedhë Këshillin e Sigurimit në krizë.

Rusia dhe Kina, si dhe vendet evropiane që ishin nënshkruese të paktit bërthamor të njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), kanë vënë në dyshim pretendimin e SHBA-së se është në gjendje të shkaktojë mekanizmin e kthimit, sepse u tërhoq nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018 dhe sërish vendosi sanksione ndaj Iranit.

Presidenti iranian, Hassan Rohani, tha më 15 gusht se SHBA-ja ka dështuar të shkatërrojë marrëveshjen bërthamore “gjysmë të gjallë”.

Britania, Franca dhe Gjermania, kanë shprehur shqetësim lidhur me përfundimin e embargos, por e kanë kundërshtuar rezolutën e SHBA-së për shkak të frikës së përfundimit të marrëveshjes bërthamore.

Irani ka kërcënuar të dalë plotësisht nga pakti bërthamor dhe kishte bërë të ditur se do të tërhiqet edhe nga një traktat tjetër kryesor nëse embargoja e armëve zgjatet ose ekziston një kthim i sanksioneve.

XS
SM
MD
LG