Ndërlidhjet

Vdes vëllau i presidentit Donald Trump


Robert Trump, Donald Trump
Robert Trump, Donald Trump

Robert Trump, vëllau i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndërruar jetë të shtunën në moshën 71 vjecare.

“Me zemër të thyer ju njoftoj se ka ndërruar jetë vëllau im i mrekullueshëm, Robert”, tha presidenti Trump përmes një njoftimi.

“Ai nuk ishte vetëm vëllai im, por edhe miku im i ngushtë. Kujtimi për të do të jetojë në zemrën time përgjithmonë. Prehu në paqe”, thuhet në njoftimin e presidentit.

Trump kishte vizituar vëllaun e tij në një spital në Nju Jork më 14 gusht, pasi ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Presidenti kishte një raport mjaft të ngushtë me vëllaun e tij të vogël, përkundër personaliteteve të ndryshme.

Rivali politik i presidentit Trump, kandidati për president në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, Joe Biden, përmes një postimi në Twitter ka shprehur ngushëllime ndaj familjes Trump për humbjen e Robertit.

“Zoti president, Jill (bashkëshortja) dhe unë u pikëlluam pas lajmit për vdekjen e vëllaut tuaj Robert. E kuptoj dhimbjen e humbjes së një personi të dashur – dhe e di se sa është e rëndësishme familja në momente sikur kjo. Shpresoj se e dini që lutjet tona janë me të gjithë ju”, tha Biden.

Robert Trump kishte lindur më 1948 dhe ishte fëmija më i vogël në mesin e 5 fëmijëve të biznesmenit të patundshmërisë Fred Trump. Robert Trump kishte nisur karrierën në Wall Street, duke iu bashkuar më vonë Organizatës Trump si drejtues ekzekutiv.

XS
SM
MD
LG