Ndërlidhjet

Mitrovicë: Emri i Elizabeta Hasanit vendoset në pllakën përkujtimore


Zyrtarët komunal të Mitrovicës dhe përfaqësuesit e komunitetit rom duke bërë homazhe pranë pllakës përkujtimore për viktimat e shpërthimit në tregun e qytetit më 13 mars 1999.
Zyrtarët komunal të Mitrovicës dhe përfaqësuesit e komunitetit rom duke bërë homazhe pranë pllakës përkujtimore për viktimat e shpërthimit në tregun e qytetit më 13 mars 1999.

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se është vendosur emri i Elizabeta Hasanit në pllakën përkujtimore për viktimat e shpërthimit në tregun e qytetit më 13 mars 1999. Elizabeta Hasani e lindur më 4 maj 1994, nuk ishte përfshirë në mesin e viktimave, kur më 13 mars të këtij viti ishte zbuluar pllaka përkujtimore.

Në pllakën përkujtimore u shkruan vetëm 6 emra të viktimave shqiptare, por jo edhe emri i shtatë, që ishte vajza 5-vjeçare e një familjeje rome.

Kjo ngjalli reagimin e organizatave për të drejtat e njeriut si dhe familjarëve të Elizabeta Hasanit.

Nga komuna patën deklaruar se ky lëshim ka ndodhur për shkak të mungesës së informatave.

Vendosjen e emrit të saj në pllakën përkujtimore e bënë, Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri së bashku me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Kryetari Bahtiri tha se mospërfshirja e emrit të Elizabeta Hasanit “ka ndodhur pa dashje dhe pa asnjë qëllim të keq, por vetëm si pasojë e mungesës së informacioneve”.

Rrahim Hasani, babai i të ndjerës, i tha Radios Evropa e Lirë, më 6 gusht, se ndjehet i pikëlluar që emri i vajzës së tij nuk është vendosur në pllakën përkujtimore.

“Më dhemb zemra, beso. Duhet të dihet kush është duke pushuar aty. Duhet t’ia vendosin emrin dhe mbiemrin, të dihet kush është duke pushuar, se kështu pa emër, si e panjohur. Kur e ka emrin aty, edhe mua zemra më pushon, më vjen më lehtë. A kështu po më duket keq, shumë keq”, pati thënë Hasani.

Dy dekada pas luftës së fundit në Kosovë, vërehen pasojat e dëmshme të mungesës së dokumentacionit të duhur për viktimat e luftës së viteve 1998-1999.

Me mosdokumentimin e ngjarjeve të luftës, sipas analisti ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, ekziston rreziku të harrohen edhe raste të tjera.

XS
SM
MD
LG