Ndërlidhjet

Maqedoni e Veriut: Sa stabile do të jetë qeveria e re?


Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti.

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të ketë mandat të plotë katërvjeçar, e denjë për të mbajtur mbi supe sfidat që ka para vetes, veçanërisht për të menaxhuar situatën e krizës që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit dhe përmbushjen e kritereve që kërkohen nga vendi për sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kanë theksuar disa herë gjatë këtyre ditëve dy liderët, Zoran Zaev, i LSDM-së, si mandatar për formimin e qeverisë së re, dhe Ali Ahmeti, i BDI-së.

Shumica parlamentare përbëhet nga 62 deputetë, përkatësisht nga 46 deputetë të koalicionit LSDM dhe Besa, 15 deputetë të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe një deputet i Partisë Demokratike Shqiptare.

Njohësit e çështjeve politike janë të ndarë rreth asaj se sa stabile mund të jetë përbërja e re e qeverisë duke pasur parasysh numrin e ngushtë për sa i përket sigurimit të shumicës parlamentare.

Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se sa stabile do të jetë qeveria e re, e kryesuar nga Zoran Zaevi si kryeministër, do të varet nga raportet që do të ndërtojnë partnerët e koalicionit qeverisës.

“Unë më shumë do të thosha se si problem i shoh marrëdhëniet mes dy partnerëve të koalicionit të qeverisë së re, e cila pritet të formohet, sa do të jenë mbi baza të shëndosha, megjithëse nuk flasim për partnerë që nuk njihen ose nuk kanë pasur bashkëpunim një kohë të gjatë, pasi edhe tani ata qeverisin me vendin, ashtu që këtë çështje nuk e shoh si problem.

“Po mendoj se ky numër edhe mund të zgjerohet varësisht nga strategjia që do ta ketë qeveria e re. Por, mendoj se përderisa shumica është mbi 61 deputetë, numri më nuk është problem për stabilitetin e qeverisë, problem mund të jetë numri për funksionimin e parlamentit, sepse do të duhet të gjithë deputetët të jenë prezent gjatë seancave”, thotë Musliu.

Por, Vlladimir Bozhinovski, njohës i çështjeve politike, thotë se qeveria e ardhshme do të qëndrojë në këmbë të qelqit duke mos pasur kapacitet të realizojë reformat që i ka të përcaktuara si detyrë nga ana e Brukselit për sa i përket procesit të integrimit.

“Pikëpyetje është se si do të mund të funksionojë ky koalicion, që do të duhet të bëjë reforma kur i tërë pushteti është i vendosur në këmbë të qelqit”, thotë Bozhinovski, duke kujtuar se LSDM-BDI edhe gjatë qeverisjes aktuale brenda tre vjetësh kanë pasur shumë çarje rreth disa çështjeve.

Ndryshe, duke prezantuar marrëveshjen për formimin e koalicionit qeveritar, mandatari për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është zotuar se gjatë mandatit katërvjeçar të qeverisë, në fokus do të jenë ekonomia, investimet huaja, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e ambientit në përputhje me kërkesat e Brukselit, si kusht për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.

Njohësit e çështjeve politike thonë se ligjet e evropiane mbase edhe mund të marrin mbështetje edhe nga partitë nga partitë që janë jashtë koalicionit qeverisës nëse për ta arrihet marrëveshje.

“Sa u përket projekteve për integrimet evropiane, mendoj se të gjitha palët kanë përgjegjësi për t’i shtyrë para këto procese. Këtu janë dhe partnerët ndërkombëtarë që kanë kontribuar dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë në momentet që politikanët këtu vendosin interesat e tyre partiake para atyre shtetërore”, vlerëson Musliu.

Në Maqedoninë e Veriut, zgjedhje të rregullta parlamentare për herë të fundit janë mbajtur më 2006, përkatësisht para 14 vjetësh, duke çuar deri në fund mandatin. Më pas, në vitin 2008 u mbajtën zgjedhje të parakohshme parlamentare, pastaj pa e përmbushur mandatin katërvjeçar, u organizuan zgjedhje të përkohshme parlamentare gjatë 2011-s.

Sërish pas tre vjetësh shumica e atëhershme parlamentare, VMRO BDI vendosi që zgjedhjet parlamentare t’i organizojë bashkë me ato lokale. Vetëm dy vjet më vonë pas publikimit të bisedave të përgjuara, u imponuan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u organizuan në dhjetor të vitit 2016.

Së fundmi, zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut u shpallën pasi vendi nuk arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian në vjeshtë të vitit të kaluar, më 2019, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut.

XS
SM
MD
LG