Ndërlidhjet

Nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoninë e V. kundër mësimit në distancë


Fotografi ilustruese.

Nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut po vazhdojnë ta kundërshtojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit, që mësimin gjatë vitit të ri shkollor, që nis në muajin shtator, të mbahet në distancë. Ata thonë se kjo formë e mësimit nuk ka treguar aspak sukses.

Nxënësit në Maqedoninë e Veriut, për shkak të pandemisë së koronavirusit, tre muajt e fundit të vitit të kaluar shkollor, i kanë zhvilluar përmes mësimit në distancë.

Nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme thonë se nuk e përjashtojnë mundësinë e bojkotimit të mësimit në shtator.

Por, autoritetet kompetente thonë se vendimi për mësim në distancë është marrë mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit për sëmundje ngjitëse, duke pasur parasysh rrethanat që ka krijuar pandemia. Sipas tyre, në plan të parë, me këtë vendim, është vendosur shëndeti i nxënësve dhe mësimdhënësve.

Nxënësit e shkollave të mesme, të premten, më 21 gusht, kanë shpalosur para zyrtarëve të qeverisë vërejtjet e tyre sa i përket mësimit në distancë. Ndërkohë, autoritetet e dikasterit të arsimit dhe shëndetësisë, u zotuan se nxënësit do t’i përfshijnë në përgatitjet që po bëjnë për organizimin dhe zbatimin e një modeli të pranueshëm për mësim, që sipas tyre, do të jetë në interes të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Kryetari i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut, Blendi Hodai, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këto kushte në të cilat ndodhet sistemi arsimor, nuk do të mund t’iu përgjigjet sfidave që të realizojë me sukses mësim në distancë. Ai për këtë përmend shumë arsye, duke nisur nga mungesa e kapaciteteve të një pjese të mësimdhënësve që të përdorin teknologjitë informative, mungesën e pajisjeve elektronike dhe qasja në internet e një pjese të konsiderueshme të nxënësve etj.

"Mënyra që ne e kemi propozuar tek organet kompetente është që të kemi mësim të kombinuar, ku përmes protokolleve të caktuara të bëhet ndarja e nxënësve në turne, që të zvogëlohet numri i nxënësve në klasa dhe në këtë mënyrë të ruhet distanca fizike. Kështu evitohet edhe grumbullimi i më shumë nxënësve në shkolla, për të mbrojtur shëndetin e tyre, po në të njëjtën kohë dhe për të ruajtur nivelin e arsimit në vend , përkatësisht të mos kemi rënie të cilësisë së arsimit siç ndodhi gjatë mbylljes në vitin a kaluar shkollor”.

“Ne si shtet nuk jemi të përgatitur që të ndryshojmë tërësisht formën e mësimdhënies, që të kalojmë nga ajo tradicionalja me prezencë fizike, në mësimin në distancë”, thotë Hodai.

Ndërkaq, nga Forumi rinor për arsim, thonë se Ministria e Arsimit ka pasur mjaftueshëm kohë që të trajnojë mësimdhënësit që të kenë aftësi digjitale, në mënyrë që t’u përgjigjen sfidave që ka mësimi në distancë.

Teodora Stolevska, nga ky forum, thotë për Radion Evropa e Lirë se arsimi asnjëherë nuk ka qenë prioritet për autoritetet shtetërore, pavarësisht se cila parti ka qeverisur me vendin.

“Duhet të jemi realist, fillimisht duhet përmbushur kushtet bazë për realizmin e procesit mësimor qoftë në distancë ose me prezencë fizike, që më pas të mund të flasim për ngritjen e cilësisë. Në të kundërtën, do të shënojë gjithnjë e më shumë rritje numri i të rinjve që perspektivën e tyre do ta shohin jashtë vendit sepse diploma me të cilën ata pajisen nuk u garanton dije, përmes së cilës ata do të jenë konkurrues në tregun e punës”, thotë Stolevska.

Në këtë drejtim Blendi Hodai thotë se mësimi në distancë ka rritur suksesin e nxënësve, por kjo, sipas tij, në asnjë mënyrë nuk përkon me nxënien e dijes.

“Mungojnë veglat të cilat do të standardizoheshin për të gjitha shkollat për vlerësimin e nxënësve. Vetëm një e dhënë në një nga shkollat e mesme në vend, para se të fillojë mësimi në distancë, notën mesatare e ka pas 2.3, dhe me fillimin e mësimit në distancë dhe vlerësimin e dijes online, kjo shkollë ka rritur mesataren në 4.7. Pra del se të gjithë nxënësit janë të shkëlqyer, që duket qartë se kemi të bëjmë me një vlerësim joreal”, thotë ai.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisëm, Venko Filipçe gjatë takimit të ka pasur me përfaqësuesit e shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut, i ka ftuar që të marrin pjesë në mbledhjet e Komisionit për sëmundje ngjitëse, që në mënyrë të drejtpërdrejtë të informohen me situatën me COVID-19, për rreziqet që paraqet kjo sëmundje dhe për pasojat që mund të ketë nëse nuk zbatohen rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë.

Nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut në krye të prioriteteve si kërkesë drejtuar dikasterit të arsimit kanë vendosur pajisjen me mjete elektronike dhe internet për të gjithë nxënësit që nuk i posedojnë të njëjtat dhe për kategoritë e rrezikuara sociale. Po ashtu ata kanë kërkuar më shumë investime në sistemin arsimor, veçanërisht në pjesën që ka të bëjnë aftësimin e mësimdhënësve për të mbajtur mësimin në distancë dhe krijimin e veglave adekuate për vlerësimin e dijes së nxënësve.

XS
SM
MD
LG