Ndërlidhjet

Thaçi u bën thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në zgjedhjet e Malit të Zi


Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën u ka bërë thirrje shqiptarëve në Mal të Zi që të marrin pjesë në zgjedhjet që pritet të mbahen të dielën. Ai tha se këto zgjedhje përbëjnë një momentum të rëndësishëm për forcimin e orientimit euroatlantik të Malit të Zi.

"U bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe forcuar stabilitetin politik, paqen dhe sigurinë në tërë Ballkanin Perëndimor", tha Thaçi.

Më 30 gusht në Mal të Zi mbahen zgjedhjet parlamentare, të njëmbëdhjeta me radhë që nga futja e këtij vendi në sistemin shumëpartiak, si dhe të pestat me radhë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006.

Në garë janë gjashtë koalicione, nga të cilat dy janë shqiptare, si dhe pesë parti politike.

Zgjedhjet po mbahen në një kohë të tensioneve të shtuara ndërmjet shtetit dhe Kishës Ortodokse Serbe për shkak të miratimit të Ligjit për Liritë Fetare, të cilin e kundërshton kisha.

Shefi i Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, Vesellin Veloviq, ka deklaruar se policia posedon të dhëna operative që individë dhe grupe janë duke planifikuar nxitjen e incidenteve dhe trazirave ne ditën e zgjedhjeve parlamentare. Ai paralajmëroi që policia do të reagojë me vendosmëri ndaj të gjithë atyre që do të përpiqen të nxisin jostabilitet qytetar.

Procesi i zgjedhjeve po zhvillohet në rrethana të pazakonshme, të shkaktuara nga pandemia COVID-19, e cila është arsyeja pse janë vendosur një numër masash për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

XS
SM
MD
LG