Në Kosovë u konfirmuan të mërkurën edhe 157 raste të reja me koronavirus dhe katër viktima nga sëmundja që e shkakton ai, COVID-19.
Shifrat u bënë të ditura nga drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, i cili foli në një konferencë për gazetarët në Malishevë.
Ramadani tha se rastet e reja rezultojnë nga testimi i 511 mostrave.
Ai po ashtu tha se në 24 orët e fundit janë shëruar edhe 154 pacientë.
Me këto shifra, numri i përgjithshëm i të prekurve me koronavirus në Kosovë arrin në 12,840.
Prej tyre, gjithsej 492 pacientë kanë humbur jetën dhe 8,942 janë shëruar.
Aktive vazhdojnë të mbeten edhe 3,406 raste.