Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës miraton planin për fillimin e vitit të ri shkollor


Prishtinë
Prishtinë

Qeveria e Kosovës miratoi planin e Ministrisë së Arsimit dhe Teknologjisë për fillimin e vitit të ri shkollor para-universitar në kohën e pandemisë së koronavirusit.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, tha se në bazë të këtij plani parashihet që mësimi të zhvillohet në tre skenarë: kthimi në shkolla, mësimi i kombinuar dhe mësimi në distancë.

Për realizimin e këtyre skenarëve, Likaj kërkoi mbi 13 milionë euro për mirëmbajtje të pastërtisë, dezinfektimin e objekteve të shkollave dhe të tjera.

Shuma u miratua në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se në shumicën e shkollave tashmë kanë filluar përgatitjet e nevojshme për një fillim të mbarë të vitit shkollor.

“Ne jemi të vetëdijshëm se po marrim përsipër një rrezik me hapjen e shkollave sipas procedurave, që duhet të ndiqen në kushtet e pandemisë. Prandaj, kërkohet kujdes ekstrem i nxënëseve, prindërve, arsimtarëve dhe komunave, që shkollat të mos kthehen në vend ku përhapet virusi”, tha Hoti pas mbledhjes së qeverisë.

Sipas planit të Ministrisë së Arsimit, viti shkollor do të nisë në faza.

E para pritet të nisë më 1 shtator dhe përfshin parashkollorët, klasat e para, të dyta, të treta, të gjashta dhe të dhjeta.

Faza e dytë do të fillojë më 7 shtator dhe përfshin klasat e katërta dhe të pesta, ndërsa faza e tretë e mësimit do të fillojë më 10 shtator dhe do të përfshijë klasat e shtata, të teta, të nënta, të njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, në kuadër të masave kufizuese që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

XS
SM
MD
LG