Ndërlidhjet

Më pak serbë e shohin SHBA-në si armike, thotë hulumtimi


Flamuri i SHBA-së, BE-së dhe Serbisë.
Flamuri i SHBA-së, BE-së dhe Serbisë.

Në bazë të një hulumtimi të Institutit për Çështje Evropiane, dukshëm më pak serbë mendojnë se Shtetet e Bashkuara (SHBA) janë një armik i Serbisë.

Raporti thotë se më shumë serbë mendojnë se “është e rëndësishme të ketë marrëdhënie të mira si me Shtetet e Bashkuara ashtu edhe me Rusinë ".

"Nga numri i përgjithshëm i të anketuarve, 37 për qind e qytetarëve serbë besojnë se Shtetet e Bashkuara janë armiku i Serbisë dhe 26 për qind besojnë se Shtetet e Bashkuara janë një mik i Serbisë. Në krahasim me hulumtimin e kryer më parë më 2019, ka rreth 13 për qind më pak të anketuar që ndajnë mendimin se Shtetet e Bashkuara janë armiku i Serbisë", deklaroi Instituti për Çështjet Evropiane.

Për të pestin vit radhazi, Instituti për Çështjet Evropiane, në bashkëpunim me kompaninë hulumtuese "Ninamedia", zhvillojnë një sondazh të opinionit publik mbi marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Hulumtimi ka përfshirë 1.207 të anketuarë.

Sipas rezultateve, 16.8 për qind e qytetarëve serbë vlerësojnë marrëdhëniet Serbi-SHBA me rezultatin më të ulët, ndërsa 6 për qind e tyre me rezultatin më të lartë - 5.

Një e katërta i vlerësoi marrëdhëniet Serbi-SHBA me një notë kaluese prej 2, dhe shumica (42.2 për qind) u përgjigj me një vlerësim mesatar prej 3.

Katër pikë i shënuan 9.9 për qind e të anketuarve.

Në një shkallë vlerësimi prej 1 deri në 5, marrëdhëniet midis dy vendeve u vlerësuan me një rezultat mesatar prej 2.63.

Ky rezultat shënoi një rritje të lehtë të vlerësimit.

Në të njëjtën kohë, pothuajse gjysma e qytetarëve besojnë se në të ardhmen, marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara do të jenë më të mira.

"Ka një rritje të numrit të të anketuarve që janë optimistë për përmirësimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa një e treta e qytetarëve mendojnë se marrëdhëniet nuk do të përmirësohen dhe ky numër është më i ulët në këtë valë të hulumtimit", tha Instituti për Çështjet Evropiane.

Në pyetjen se çfarë do të përmirësonte marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, 20.8 për qind thanë se në këtë aspekt do të ndikonte zgjidhja e çështjes së Kosovës; 12.6 për qind thanë se kjo do të ndodhte nëse Kosova kthehet nën Serbi; 9.9 për qind përmenden një kërkim falje nga NATO-ja për ndërhyrjen në vitin 1999 dhe pagesa e reparacioneve të luftës, ndërsa 8.5 përqind potencuan anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Instituti për Çështjet Evropiane gjithashtu thekson se rreth 49 për qind e qytetarëve serbë besojnë se një vizitë e presidentit amerikan, Donald Trump, do të përmirësonte marrëdhëniet midis Serbisë dhe Amerikës. Por, për këtë çështje 35% e të anketuarve kanë qëndrim të kundërt.

Më shumë se gjysma e qytetarëve- 52.5 për qind - besojnë se është e rëndësishme për Serbinë të ketë marrëdhënie të mira si me Rusinë ashtu edhe me SHBA-në.

Rusia mbështetet nga 34.2 për qind e të anketuarve, ndërsa 4.8 për qind mbështesin raportet me Amerikën.

"Në bazë të krahasimit të rezultateve gjatë tre viteve, ekziston një trend në rënie në rastin e të anketuarve që preferojnë Rusinë dhe një prirje në rritje në numrin e atyre që besojnë se është e rëndësishme që Serbia të ketë marrëdhënie të mira si me Rusinë ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara", tha Instituti për Çështjet Evropiane.

Gjysma e të anketuarve e perceptojnë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si një politikan i cili punon kryesisht për marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara.

Shefi i diplomacisë, Ivica Daçiq, përmendet nga 8.7 për qind e të anketuarve, ndërsa kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, nga 3.1 për qind e qytetarëve.

XS
SM
MD
LG