Ndërlidhjet

O’Brien: Diskutimet në Shtëpinë e Bardhë çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik


Ilustrim.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, ka thënë se diskutimet e kësaj jave në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, O’Brien ka thënë se mezi pret të takojë të enjten kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuçiq.

“Nga përkushtimi i të dy liderëve për dialog do të përfitojë Serbia dhe Kosova”, ka thënë mes tjerash ai.

Paraprakisht ishte bërë e ditur se diskutimet mes këtyre dy shteteve do të zhvilloheshin më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Ky takim, midis Kosovës dhe Serbisë, është i dyti i tillë i thirrur nga Uashingtoni.

Takimi i planifikuar më 27 qershor është anuluar pak ditë para mbajtjes, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka qenë i ftuar në takimin e Uashingtonit.

"SHBA-ja nuk ka plan sekret për Kosovën dhe Serbinë"

Një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, gjatë një bisede me gazetarë të hënën në kushte anonimiteti tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret, kur bëhet fjalë për negociatat mes këtyre dy shteteve.

"Do të kemi një diskutim të enjten, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse palët janë të interesuara të bien dakord mbi zhvillimin ekonomik, Shtetet e Bashkuara e dinë se si ta bëjnë këtë dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë", ka thënë ai.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret; ne nuk kemi asgjë për të kërkuar. E vetmja gjë që do të kërkojmë është që nëse ata duan ndihmë nga SHBA-ja, nëse duan zhvillim, atëherë ata kanë nevojë për përparim në fushën ekonomike. Ne nuk duam të humbasim paratë tona", ka shtuar mes tjerash ai.

Zyrtari i lartë i administratës amerikane këmbënguli se temat e bisedës do të jenë të natyrës ekonomike, duke përmendur çështjen e hekurudhave, linjës ajrore dhe autostradave midis dyja vendeve.

"Ne jemi të përqendruar kryesisht në zbatimin e marrëveshjeve për të cilat kemi rënë dakord tashmë - për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën. Këto marrëveshje do të na lejojnë të ndërtojmë zhvillimin ekonomik ", tha ai, duke shtuar se këto marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar ende, do të diskutohen këtë javë.

Bisedimet, sipas tij, do të mbahen të enjten dhe të premten

Zyrtari i administratës amerikane gjithashtu tha se tema e shkëmbimit të territoreve nuk do të diskutohet, sepse, sipas tij, këto nuk janë tema që lidhen me zhvillimin ekonomik.

"Shtetet e Bashkuara e lënë në dorën e palëve këto diskutime. Sërish e them, për ta bërë më të qartë, unë kurrë nuk kam qenë pjesë e këtyre diskutimeve. Diskutimet kanë qenë vetëm ekonomike, dhe kjo është ajo që po përqendrohemi, pra në normalizimin ekonomik", tha ai.

Megjithatë, sipas tij, bisedimet do të zhvillohen për "çdo çështje" për të cilën palët bien dakord.

Hoti: Në Shtëpinë e Bardhë “janë marrë gjithmonë vendime strategjike"

Duke komentuar këtë takim, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se në Shtëpinë e Bardhë “janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë quar në liri, pavarësi dhe integrim euro-atlantik të shtetit të Kosovës”.

“Nuk do të jetë ndryshe edhe këtë herë", shkroi Hoti në rrjetin social, Facebook.

Kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës do të prezantojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike që kontribuojnë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë, por që ndikojnë në integrimin më të mirë të Kosovës në tregun regjional dhe evropian.

XS
SM
MD
LG