Ndërlidhjet

OEAK: Normalizimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ofron prospekte të reja zhvillimore


Nënshkrimi i marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, 4 shtator 2020
Nënshkrimi i marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, 4 shtator 2020

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), thotë se marrëveshja për normalizimin ekonomik e nënshkruar në Uashington nga Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të hapë mundësi të reja për zhvillim ekonomik për të dyja shtetet si edhe për tërë Ballkanin Perëndimor.

Sipas një komunikate për media të OEAK thuhet se vetë marrëveshja do të ketë si rezultat përshpejtimin e rritjes ekonomike përmes nxitjes së investimeve të brendshme e tërheqjes së investimeve të jashtme, si dhe krijimin e vendeve aq shumë të nevojshme të punës.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vlerëson se hapja e mundësive për përfitime financiare nga Korporata Ndërkombëtare Financiare Zhvillimore e Shteteve të Bashkuara (DFC) si dhe Banka EXIM do të mundësojnë zhvillimin e infrastrukturës transportuese, përfshirë ndërtimin e autostradës së paqes dhe lidhjeve hekurudhore të cilat do të shtrihen deri në portet detare të Detit Adriatik. Kjo do t’i mundësonte Kosovës të vjelte përfitime të mëdha ekonomike nga pozita e saj qendrore gjeografike në rajonin e Ballkanit, si një pikë e rëndësishme lidhjeje ndërmjet shteteve të këtij rajoni dhe më gjerë”, thuhet në komunikatën për media të OEAK.

Sipas OEAK, përmes vendosjes së transportit hekurudhor me Serbinë, Kosova do të lidhet në rrjetin ndërkombëtar hekurudhor, ndërsa ndërmarrjeve nga Kosova do t’u ofrohet metodë më efikase e transportimit të mallrave, duke rritur edhe përparësitë konkurruese të tyre, e sidomos për industrinë prodhuese.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar më 4 shtator marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

XS
SM
MD
LG