Ndërlidhjet

Një përfshirje më e madhe amerikane në dialogun e Brukselit


Flamuri i BE-së dhe SHBA-së. Foto nga arkivi.
Flamuri i BE-së dhe SHBA-së. Foto nga arkivi.

Një ditë para takimit të nivelit të lartë në Bruksel, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, liderët nga Kosova dhe Serbia kanë pasur takime të ndara me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm amerikan, Matthew Palmer.

Këta dy zyrtarë të BE-së dhe të Departamentit amerikan të Shtetit kanë zhvilluar një takim të përbashkët fillimisht me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq e më pas janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Të dy takimet janë zhvilluar në ambasadat përkatëse të këtyre dy shteteve në Bruksel.

Në këto takime është biseduar për përparimin e dialogut dhe diplomatët e shohin këtë si një dëshmi të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajtuar që rolin kryesor, në aspektin politik në dialog, ta ketë Bashkimi Evropian.

Deri më tash ka pasur shumë paqartësi dhe një ndjenjë gare mes Brukselit dhe Uashingtonit se kush më shumë po arrin sukses në bindjen e Kosovës dhe Serbisë që të normalizojnë raportet.

Takimet të shtunën dhe të dielën në Bruksel në nivel të ekspertëve, si dhe takimet e përbashkëta me dy liderët, kanë pasur për qëllim përgatitjen e terrenit që të arrihet pajtim të hënën në takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pritet që Hoti dhe Vuçiq të pajtohet për temat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik, çështjen e të pagjeturve dhe të zhvendosurve, tema për të cilat është diskutuar tashmë në tri runde të bisedimeve.

Po ashtu të hënën, më 7 shtator, pritet të hapen edhe çështjet që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe si dhe çështjet e kontesteve pronësore e financiare që i kanë palët ndaj njëra-tjetrës. Këto tema pritet të jenë mjaft të vështira në procesin e dialogut, pasi që palët i kanë qëndrimet shumë larg njëra-tjetrës.

Pala kosovare vazhdon të insistojë se asnjë marrëveshje nuk do të arrihet në mënyrë të veçantë pa u përmbyllur marrëveshja finale, e cila do të nënkuptonte dhe njohjen e ndërsjellë.

Hoti: Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, në një postim në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se të hënën në Bruksel do të takojnë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha pas një takimi me të dërguarin special të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Mathew Palmer dhe përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak në Bruksel, se BE-ja këmbëngul që ajo duhet të drejtojë dialogun politik të Kosovës dhe të Serbisë.

"BE-ja padyshim që dëshiron një rol kyç për veten dhe dëshiron që ajo të jetë bartësja e këtij procesi. Ata po analizojnë atë që është bërë në Uashington dhe mendoj se ata duan të përdorin një pjesë të asaj që është arritur në Uashington për të bërë përparim më të shpejtë. Se a janë më të lumturit në botë - kushdo që do t'ju thoshte atë - nuk do ta thoshte të vërtetën," u tha Vuçiq gazetarëve.

Muhaxhiri: Takimet në Bruksel çojnë drejt marrëveshjes finale

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në fazën e konkretizimit, megjithatë është ende herët të flitet për një marrëveshje finale mes dy shteteve, thotë për Radion Evropa e Lirë, analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri.

Sipas analistit Muhaxhiri, me takimet që do të zhvillohen në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të ketë hapa të mëtutjeshëm konkret të cilët do të çojnë drejt kësaj marrëveshjeje përfundimtare.

“Takimi në Uashington ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme dhe është e pritshme që ky ritëm të vazhdojë edhe në takimin në Bruksel. Tani kemi hyrë në një fazë të konkretizimit të çështjeve dhe një gjë e tillë do të bëhet hap pas hapi. Është iluzion të pritet ndonjë arritje e madhe në Bruksel, por ajo që duhet të bëhet atje që të vazhdojë aspekti i konkretizimit të çështjeve, siç ndodhi edhe në Uashington”, thotë Muhaxheri.

Ai shton se ngjarja e Uashingtonit ishte një model se si duhet të ketë vullnet për arritjen e ndryshimeve dhe jo vetëm ato të mbesin në letër si diçka abstrakte.

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në dialogun në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përveç tjerash e ka paralajmëruar se në takimin e radhës do të ngrisë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se çështja e Asociacionit është një etapë e rëndë, por duhet të trajtohet edhe nga pala kosovare për shkak të zotimeve që janë bërë më herët.

“Arritja më e madhe është që Asociacioni i tillë të mos e cenojë integritetin kushtetues dhe funksional të shtetit të Kosovës dhe të gjendet një modalitet i cili do ta kënaqte edhe palën serbe, por nuk do ta dëmtonte edhe palën kosovare”, thotë ai.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe buron nga Marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel, në vitin 2013. Ndërkaq në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshjen për formimin e këtij Asociacioni, duke specifikuar edhe mënyrën e formimit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në dhjetor të vitit 2015, pati vlerësuar se kjo marrëveshje, në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e vendit.

Arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë është kërkuar prej vitesh nga komuniteti ndërkombëtar derisa konsiderohet si hap i domosdoshëm në rrugëtimin e të dyja vendeve drejt integrimit evropian.

Një marrëveshje eventuale parashihet që t’i hapë rrugë njohjes së Kosovës nga shtetet që ende se kanë njohur pavarësinë si dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare duke përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Më 7 shtator, në selinë e BE-së, do të mbahet një raund i ri dialogu në nivelin më të lartë politik, ku do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimi në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë vjen pas një takimi që palët patën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, më 4 shtator, ku u nënshkrua marrëveshja për normalizimin ekonomik mes dy shteteve.

XS
SM
MD
LG