Ndërlidhjet

Rifillon punën Shërbimi Hungarez i Radios Evropa e Lirë


Radio Evropa e Lirë, Pragë.

Shërbimi Hungarez i Radios Evropa e Lirë, i mbyllur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ka rifilluar punën më 8 shtator në përgjigje të rënies së madhe të lirisë së mediave në këtë vend.

"Ne jemi shumë të ngazëllyer që do të kthehemi në Hungari përmes angazhimit të Radios Evropa e Lirë për t'i shërbyer interesit publik duke raportuar çështjet për të cilat audienca jonë thotë se kanë më shumë rëndësi", tha presidentja në detyrë e Radios Evropa e Lirë, Daisy Sindelar.

"Ne kemi një ekip të shquar të gazetarëve lokalë dhe ata janë të vendosur të jenë burimi kryesor për lajme të besueshme dhe të paanshme", shtoi ajo.

Shërbimi drejtohet nga Gyula Csak, ish-gazetar dhe redaktor në rrjetin pan-evropian Euronews dhe një producent dhe ish-korrespondent nga Hungaria i BBC-së.

Csak ka punuar gjithashtu si një shef ekzekutiv për media të shumta hungareze.

Radio Evropa e Lirë shpalli planet e saj për të rifilluar punën e Shërbimit Hungarez në vjeshtë të vitit 2019 si një përgjigje ndaj ngushtimit dramatik të peizazhit mediatik të vendit – e pasqyruar përmes një rënie prej 16 pikësh, në vendin e 89-të, në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij në vitin 2020.

Gjatë dhjetë vjetëve të kaluara, qeveria e kryeministrit Viktor Orban ka marrë nën kontroll shumicën e mediave të vendit, qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi.

Televizioni dhe radioja publike si dhe agjencia shtetërore e lajmeve u vunë nën kontrollin e qeverisë më 2011.

Në vitin 2019, rreth 500 media private u përqendruan në Fondacionin e Shtypit dhe Medias të Evropës Qendrore (KESMA), i cili ka lidhje të ngushta me qeverinë e Orbanit.

Shërbimi origjinal hungarez i Radios Evropa e Lirë, i njohur si Szabad Europa Radia, operoi nga Mynihu gjatë Luftës së Ftohtë dhe u mbyll më 1993.

Kthimi i Radios Evropa e Lirë në Hungari shënon rikthimin e tretë në një vend anëtar të Bashkimit Evropian. Më 2019 ajo hapi zyrat në Bullgari dhe Rumani. Edhe në këto vende, sikurse në Hungari, Radio Evropa e Lirë luajti një rol vendimtar gjatë Luftës së Ftohtë.

XS
SM
MD
LG