Ndërlidhjet

Autoritetet bjelloruse vazhdojnë goditjen ndaj figurave kryesore opozitare


Zyrtarja opozitare, Maryya Kalesnikava, e cila raportohet të jetë arrestuar, flet para protestave në Minsk, më 17 gusht, 2020
Zyrtarja opozitare, Maryya Kalesnikava, e cila raportohet të jetë arrestuar, flet para protestave në Minsk, më 17 gusht, 2020

Zyrtarët dhe dëshmitarët okularë thonë se një organizatore kryesore e protestave të opozitës u arrestua në kufirin me Ukrainën herët më 8 shtator, derisa thirrjet ndërkombëtare janë shtuar ndaj Minskut për të dhënë përgjigje mbi rrëmbimin e saj të dyshuar dhe zhdukjet e tjera të kritikëve të presidentit, Alyaksandr Lukashenka.

Maryya Kalesnikava thuhet se arriti në pikën e kontrollit kufitar Alyaksandrauka rreth orës 5:00 në një makinë me dy organizatorë të tjerë të opozitës, - që u zhdukën një ditë më parë - me sekretarin e shtypit të Këshillin Koordinues, Anton Randyonkau dhe sekretarin ekzekutiv, Ivan Krautsouat.

Të tre janë figurat kryesore në Këshillin Koordinues që ka bërë presion për një tranzicion paqësor të pushtetit, që kur zyrtarët e zgjedhjeve shpallën presidentin Alyaksandr Lukashenka fitues të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 9 gusht.

Opozita thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara, dhe që nga përfundimi i tyre më 9 gusht, ka organizuar protesta, të cilat në shumë raste janë shtypur nga ana e autoriteteve të sigurisë.

Më parë, përfaqësuesi i Komitetit Shtetëror të Kufijve, Anton Bychkouski, deklaroi se që të tre ishin larguar nga vendi.

Por, televizioni shtetëror bjellorus më vonë citoi Bychkouskin duke thënë se Kalesnikava, një zyrtare kryesore e Këshillit të Koordinimit, u arrestua duke u përpjekur të kalonte kufirin ndërsa dy të tjerët kishin hyrë në Ukrainë.

Shërbimi Shtetëror i Kufirit i Ukrainës më vonë konfirmoi se Kalesnikava nuk ka hyrë në vend.

Një dëshmitar okular raportoi se kishte parë Kalesnikavan duke u rrëmbyer nga disa burra të paidentifikuar në qendër të qytetit Minsk, më 7 shtator. Më pas u raportua se kontakti ishte humbur menjëherë me dy zyrtarët tjerë të opozitës, Randyonkau dhe Krautsou.

Zhdukjet e tyre nxitën akuza nga Bashkimi Evropian se regjimi i bjellorus ishte duke përdorur rrëmbimet dhe frikësimet për të shuar protestat që po organizohen kundër presidentit Lukashenka.

Gjermania, e cila aktualisht mban presidencën e radhës së BE-së, ka kërkuar informacion për të zhdukurit dhe lirimin e të burgosurve politikë.

"Ne kërkojmë informacione për vendndodhjet dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Bjellorusi", tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas për Bild.

Deri më tani, mijëra njerëz janë arrestuar, përfshirë gazetarë.

Rrahjet, kërcënimet për përdhunim dhe kërkimi i të zhdukurve në Bjellorusi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

Anëtarët e Këshillit Koordinues dhe organi i tij vendimmarrës janë thirrur nga policia dhe në disa raste janë dënuar me burg.

Kandidatja e opozitës në zgjedhjet e muajit të kaluar ishte Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila iku në Lituani disa ditë pas votimit.

Më 8 shtator, Tsikhanouskaya është planifikuar t'i drejtohet Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për Çështjet Politike dhe Demokracinë mbi situatën në Bjellorusi.

Ajo gjithashtu do të vizitojë Varshavën këtë javë për të zhvilluar takime me zyrtarë të lartë polakë.

Lukashenka, i cili ka shërbyer pesë mandate tashmë, ka refuzuar të mbajë bisedime me kundërshtarët e tij dhe ka hedhur poshtë thirrjet për të mbajtur zgjedhje të reja.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG