Ndërlidhjet

Një tentim i dytë për nisje të vitit të ri shkollor


Shkolla fillore, "Faik Konica" në Prishtinë.

Shkolla fillore në Prishtinë, “Faik Konica’’ tashmë ka bërë gjitha përgatitjet për fillimin e ri të vitit shkollor më 14 shtator derisa mësimi sipas drejtoreshës së kësaj shkolle, Jehona Oruqi, do të zhvillohet në klasë dhe nga distanca.

Në këtë shkollë, nxënësit janë ndarë në dy grupe dhe dy ndërrime me nga përafërsisht 15 nxënës. Siç thotë Oruqi, klasët e gjashta, grupi A, javën e parë do të ndjekin mësimin në klasë, derisa grupi B, online.

Këto grupe më pas do të ndërrohen.

“Shkolla tashmë ka siguruar edhe laptopë për secilën klasë, që u lehtëson punën nxënësve që ndjekin mësimin online sipas javëve, pasi do të kyçen online brenda klasës nga shtëpia’’, tha Oruqi.

Ajo shton se tashmë është bërë dezinfektimi i tërë objektit shkollor, dhe shkolla është pajisur me dezinfektues për duar, por edhe për pastrimin e bankave.

‘’Gjithashtu kemi pasur edhe donacion të 1,500 maskave që do t’iu jepen nxënësve. Ndërkohë task-forca e shkollës do të bëjë monitorimin e vazhdueshëm gjatë gjithë javës, duke u siguruar që janë të vendosur posterët informues, nëse është shenjëzuar gjithçka brenda shkollës, a ka dezinfektues, e të ngjashme’,’ tha ajo.

Zëvendësministri i Arsimit në Kosovë, Xhavit Rexhaj, tha për Radion Evropa e Lirë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vit të ri shkollor për disa klasë, më 14 shtator. Përgatitjet shtesë kanë qenë të nevojshme, për të ofruar siguri në kohë të pandemisë.

Më 14 shtator, pritet të nisë mësimi në shkollë për klasat e para, të dyta, të treta, të gjashta dhe të dhjeta, ndërsa në disa shkolla edhe për klasat e katërta dhe të pesta.

Klasat e shtata, të teta, të nënta, të njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta do të nisin mësimin më 21 shtator, thotë Rexhaj.

Në rast të infektimit të nxënësve, mësimi kalon online

Megjithëkëtë, nëse një nxënës brenda klasës infektohet me koronavirus, zëvendësministri Rexhaj thotë se e kanë paraparë që të gjithë ata nxënës, që kanë qenë rast kontakti, të kalojnë në mësim online, në mënyrë që të mos shpërndahet sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus.

“Nuk lirohen nga mësimi nxënësit, por e gjithë klasa kalon në mësim online nëse ka raste të nxënësve të infektuar. Derisa sa i përket mësimdhënësve, Kosova ka rreth 3 mijë mësimdhënës tepricë, dhe meqë bëhet dyfishimi i orëve për shkak të ndërrimeve dhe mësimit online, ne u kemi siguruar komunave përkrahje që deri në një mënyrë të kompensohet vëllimi i shtuar i punës’’, tha Rexhaj.

SBASHK: Shkollat e papërgaditura nuk do të fillojnë mësimin

Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) tha se shkollat, të cilat nuk e kanë përgatitjen e duhur, nuk do të fillojnë mësimin.

Kryetari i kësaj Sindikate, Rrahman Jasharaj, i tha Radios Evropa e Lirë se me vlerësimet e bëra deri më tash, një pjesë e shkollave janë përgatitur ashtu si duhet.

Por ai shtoi se nëse grupi i task-forcës që tashmë është në monitorim të vazhdueshëm, vëren se ndonjë shkollë nuk është përgatitur, aty mund edhe mos të fillojë mësimi.

“Nëse ka raste të tilla, pra që shkollat nuk i plotësojnë kushtet, mësimi në ato shkolla nuk do të fillojë. Por kjo u mbetet task-forcave që janë krijuar në nivel komunash, t’i shohin nga afër brenda shkollave dhe ata do të marrin vendime konkrete bazuar në situata që janë reale në institucione arsimore’’, tha Jasharaj.

Megjithëkëtë ai shton se vazhdimisht do të jenë kujdestarë përmes veprimtarëve sindikalë dhe do ta përcjellin situatën, me urimin që të jetë një vit i mbarë shkollor.

Ndryshe me planin e Qeverisë së Kosovës ka qenë e paraparë që mësimi të niste më 1 shtator, por data është shtyrë për dy javë me kërkesë të SBASHK-ut.

Kjo e fundit ka thënë atëbotë se nuk janë siguruar kushtet e nevojshme për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit.

Qeveria e Kosovës i ka mbyllur institucionet arsimore qysh në mes të marsit, kur edhe janë shfaqur rastet e para me koronavirus.

Pjesën e mbetur të vitit shkollor, nxënësit e kanë ndjekur online.

XS
SM
MD
LG