Ndërlidhjet

PDK kritikon qeverinë: Humbi shansin që në Uashington të arrijë marrëveshjen për njohje


Foto nga arkivi.

Partia Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, për siç ka thënë, “dështim në qeverisjen e brendshme dhe politikën e jashtme”.

Përmes një komunikate për media, kjo parti tha se kryeministri Hoti në takimet në Uashington më 3 dhe 4 shtator, “humbi shansin historik” për arritjen e një marrëveshjeje me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nga përplasjet e brendshme fisnore të anëtarëve të delegacionit, u pranua të ndahet pronësia për Liqenin e Ujmanit me Serbinë; u lejua të negociohet për pasuritë kombëtare të Kosovës dhe u rrezikuan interesat strategjike të vendit. Qeveria Hoti dështoi të përmbushë pritjet e qytetarëve për arritjen e një marrëveshjeje historike finale duke rrëshqitur gradualisht drejt temave teknike me Serbinë. Ajo është e dobët, aspak transparente dhe pa kurrfarë mbështetje legjitime qytetare për të qeverisur me Kosovën”, thotë PDK.

Kosova në Uashington, më 4 shtator, nënshkroi marrëveshje për normalizim ekonomik me Serbinë. Një ndër pikat e kësaj marrëveshjeje është që në Liqenin e Ujmanit – që gjendet në Zubin Potok – të bëhet një studim fizibiliteti nga Departamenti amerikan për Energji, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

PDK-ja ka kritikuar Qeverinë Hoti për edhe për menaxhimin e pandemisë, duke thënë se në 100 ditët e para, ekzekutivi ka dështuar po ashtu të ndihmojë ekonominë e Kosovës.

“Premtimet për ndarjen e fondit mbi 1 miliard euro për tejkalimin e krizës kanë mbetur në letër nga Qeveria Hoti, e cila nuk ka as vizon dhe as vullnet për t’u marrë me këtë problematikë”, thotë PDK.

Duke folur për stabilitetin e qeverisë, pjesë e së cilës është Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e komuniteteve joshumicë, PDK thotë se për shkak të “përplasjeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme brenda partnerëve të koalicionit, kjo qeveri e ka besimin shumë të ulët dhe qytetarët po zhgënjehen çdo ditë”.

Qeveria Hoti u votua në Kuvendin e Kosovës me 61 vota për më 3 qershor.

XS
SM
MD
LG