Ndërlidhjet

Yoshihide Suga zgjidhet kryeministër i ri i Japonisë


Yoshihide Suga.

Yoshihide Suga u zgjodh kryeministër i ri i Japonisë. Ai do të pasojë Shinzo Aben, i cili njoftoi dorëheqjen muajin e kaluar për arsye shëndetësore.

Suga (71 vjeçar) mori 314 nga 462 vota në dhomën e ulët të parlamentit. Një shumicë e thjeshtë ishte e nevojshme për zgjedhjen e kryeministrit të ri.

Të hënën, Yoshihide Suga u zgjodh kreu i ri i partisë në pushtet.

Kështu, ish-kryesekretari i kabinetit të Abes siguroi zgjedhjen si kryeministër në parlament, ku koalicioni qeverisës i Liberal Demokratëve ka shumicën.

Suga fitoi mbështetjen e njerëzve kryesorë në parti për shkak të pritjes që kanë ata se ai do të vazhdojë politikën e Abes.

Suga njoftoi se përparësitë kryesore të qeverisë do të jenë lufta kundër koronavirusit dhe rimëkëmbja e ekonomisë e goditur rëndë nga pandemia.

Ai do të njoftojë përbërjen e qeverisë së re të Japonisë gjatë ditës së mërkurë (16 shtator).

Abe, që ka thyer rekord si kryeministri që ka shërbyer më së gjati në Japoni para se të largohej nga zyra, nuk ka përkrahur publikisht asnjë kandidat që ka garuar për shef të ekzekutivit.

XS
SM
MD
LG